E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ul besimin, këtë vit më pak depozita bankare

Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Raporti BSH

Ritmi i rritjes së depozitave në muajt e parë të vitit 2009 është më i ulët se ai i shënuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të saj mbi zhvillimet ekonomike në vend.
Duke i referuar efekteve të krizës financiare ndërkombëtare, Banka Qendrore vëren se pavarësisht angazhimit të grupeve bankare zotëruese për të mbështetur veprimtarinë kredituese të filialeve të tyre në vendin tonë, mundësia e sektorit bankar për të kredituar në mënyrë të qëndrueshme do të kushtëzohet nga qëndrueshmëria e rritjes së depozitave.
BSH-ja
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, treguesit e dy muajve të parë të vitit 2009 konfirmojnë pritshmëri, për një rënie të ritmit të rritjes së kredisë gjatë vitit 2009. Kjo situatë do t i bëjë bankat më të kujdesshme në përzgjedhjen e projekteve që do të financojnë, si edhe ka mundësi të orientojë veprimtarinë e kreditimit në afate më të shkurtra dhe drejt monedhës kombëtare, për të cilën ato kanë mundësi të sigurojnë burime më të qëndrueshme financimi, nënvizon BSH-ja në raportin e saj. Gjithsesi, ekspertët bankarë nënvizojnë faktin se sistemi financiar dhe bankar në vendin tonë është i mirëkapitalizuar dhe po ruan qëndrueshmëri treguesish sipas parashikimeve të Bankës Qendrore.
Aktiviteti bankar
Sipas raportit, aktiviteti i sistemit bankar në vendin tonë në fund të vitit 2008 u rrit me rreth 12.3 për qind në krahasim me fundin e vitit 2007, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të saj mbi zhvillimet ekonomike në vend. Sipas BSH-së, aktivet e sektorit bankar për këtë periudhë ishin 834.1 miliardë lekë, duke zënë rreth 86 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ndërkohë që, rritja e ndjeshmërisë së publikut për sigurinë e kursimeve të tyre në sektorin bankar, e përqendruar në tremujorin e fundit të vitit për shkak të krizës financiare ndërkombëtare, ndikoi në uljen e ritmit të rritjes së veprimtarisë bankare gjatë vitit 2008. Duke iu referuar treguesve të publikuar në raport, rritja vjetore e depozitave të sektorit bankar për vitin 2008 ishte 2 për qind, krahasuar me rreth 20 për qind që ishte në vitin 2007. Ekspertët vërejnë se paqëndrueshmëria e ecurisë së depozitave ndikoi edhe në veprimtarinë e ndërmjetësimit të sektorit bankar, duke u shoqëruar me ngadalësim të ritmit të rritjes së kredisë. Kështu, gjatë vitit 2008 ritmi i rritjes vjetore të kredisë ishte rreth 35 për qind, kundrejt rreth 48 për qind në vitin 2007. Ngadalësimi i ritmit të rritjes së kredisë u përqendrua në fund të vitit. BSH-ja bën të ditur se në fund të dhjetorit 2008 kredia zinte rreth 43 për qind të totalit të aktiveve të sektorit bankar, duke u ngjitur në rreth 37 për qind të PBB. Në fund të vitit 2008 kapitali aksioner i sektorit bankar zinte rreth 8.6 për qind të totalit të aktiveve, krahasuar me rreth 7.6 për qind në fund të vitit 2007. Por, sipas BSH-së, rezultati financiar i sektorit bankar në fund të vitit 2008, ishte pozitiv për rreth 7.3 miliardë lekë.
Regjistri i kredive
Gjatë këtij viti, regjistri i kredive është përdorur kryesisht në shërbim të bankave, duke rritur mundësinë e tyre për kryerjen e transaksioneve të shëndosha kredituese dhe ka shërbyer si instrument shtesë në administrimin nga ana e tyre ev rrezikut të kredisë. Regjistri i kredisë vë në dispozicion të bankave tregtare informacion të nevojshëm për të gjykuar drejt dhe shpejt mbi aftësitë tregtare, informacionin e nevojshëm për të gjykuar drejt dhe shpejt mbi aftësitë për të shlyer detyrimet financiare.
Ky lajm është publikuar: 07/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›