Njazi Kuqi shet bluzën e Klozes për bamirësi
Për kosovarin me pasaportë finlandeze Njazi Kuqi (menaxhohet nga Rudi Vata), ndeshja me Kombëtaren e Finlandës kundër Gjermanisë (3-3, 10 shtator 2008) për eliminatoret e Botërorit 2010, kishte një kuptim të dyfishtë. Sulmuesi i Tus Koblencit në Bundesligën 2, së pari shënoi ndeshjen e parë të tij me Finlandën dhe së dyti arriti të ndërrojë fanellën me Miroslav Klozen, i cili shënoi të tre golat e Gjermanisë në atë takim. Por, historia pas kësaj vazhdon edhe më e bukur. Kosovari e ka nxjerrë bluzën në shitje në uebsajtin më të madh në botë të shitjeve online, ebay.de. Një shitje me një qëllim të mirë humanitar. Njazi Kuqi hyri në lojë në minutën e 75-të, kur rezultati ishte 3-2 për Finlandën. Pas ndeshjes ai ndërroi bluzën me sulmuesin e Bajernit të Munihut, Miroslalv Kloze, heroi edhe i takimit. Polaku me pasaportë gjermane shënoi tre gola, duke i dhënë kështu edhe fund krizës së tij, por duke i dhënë edhe një pikë të çmuar trajnerit Johakim Lëv në barazimin 3-3 kundër Finlandës. “Unë pata menjëherë oferta në aeroport nga njerëz që dëshironin të blinin bluzën e Klozes”, - thotë Kuqi për gazetën gjermane “Ausburger Allgemaine”. Por shqiptari kishte një plan tjetër. Ai dëshironte të përfitonte sa më shumë nga bluza e Klozes (me numër 11) i cili ka shënuar golin e tij të parë ndërkombëtar në një ndeshje kundër Shqipërisë, të fituar 2-1 nga ekipi gjerman, më 25 mars 2001, kur hyri si zëvendësues i Nojvil në minutën e 73-të e shënoi në të 87’. Sebastian Deisler për Gjermaninë e Bledar Kola për Shqipërinë ishin autorët e dy golave të tjerë të atij takimi.
“Në atdheun tim, Kosovë, ka ende shumë familje të varfra, të cilat ende nuk e kanë marrë veten pas krizës”, - thotë sulmuesi, vëllai i sulmuesit tjetër të njohur kosovar, Shefki Kuqit. Dhe për ta bërë realitet këtë iniciativë Njaziu vendosi ta shesë përmes një ankandi në internet, ku shuma e përfituar do t’i jepet një organizate në Kosove. Oferta fillestare ishte 15 euro, ndërkohë që ankandi do të përfundojë të martën e ardhshëm, më 23 shtator. Deri të enjten (19.08.2008, ora 17:30) 70 individë kanë paraqitur ofertat e tyre dhe çmimi ka shkuar deri në 1460 euro, ndërkohë që blerësi i fundit me ofertën më të mirë (në datën 23 shtator), do të tërheqë bluzën e Miro Klozes në zyrat e klubit Tus Koblenc.
Lala me grip, Kapllani me probleme muskulore
Altin Lala është në dyshim për ndeshjen e radhës në Bundesligën gjermane kundër Bajer Leverkuzen, një takim që pritet të ndiqet edhe nga trajneri i Kombëtares gjermane, Johakim Lëv. Mesfushori i Hanover 96 është me gjendje gripale, ashtu si Majk Hanke, dhe trajneri Dieter Heking duket se nuk e llogarit shqiptarin. Përfundimisht për disa javë do të mungojnë për Hanoverin Arnold Brugnik, Kiststian Shulz, ndërsa Mario Egiman e Mikael Forsele. “Unë jam i bindur se dhe lojtarët e rinj do të bëjnë një ndeshje të mirë. Ne kemi një listë të pasur futbollistësh”.
KAPLLANI - Edhe sulmuesi i Karlsruhes, Edmond Kapllani po vuan nga një dëmtim në aduktorët e kofshës së majtë. “Isha për të luajtur në formacion kundër Shtutgardit por pësova këtë dëmtim në momentin më të rëndësishëm për ecurinë time”, - tha Kapllani nga Gjermania. “Nuk e di sa kohë do të më duhet për t’u rikuperuar, por të bëj të pamunurën për të qenë sa më shpejt gati”
SKELA – Energi Kotbus ndodhet në krizë goli. Në katër takimet e para në Bundesligën gjermane. Përgjegjësia po bie mbi titullarët e skuadrës nga ish-Gjermania Lindore, e midis tyre në këtë listë është edhe Ervin Skela e Dimitar Rangelov, të cilët mudn te jenë në stol në për ndeshjen e radhës kundër Bokumit.
19 Shtator 2008