Fotografitë e “të drejtëve” në Tiranë
Pasi ka udhëtuar nga Uashingtoni në Tel-Aviv, ekspozita “Besa- Shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore” vjen edhe në Tiranë. Kjo ekspozitë, e cila vjen falë bashkëpunimit me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sjell në Akademinë Kombëtare të Arteve rreth 70 fotografi të fotografit Norman Gershman. Janë portretet e shqiptarëve, që i kërkoi dhe i gjeti anekënd Shqipërisë. Përveç portreteve të realizuara në teknikën bardhë e zi, Gershman mblodhi edhe shumë histori, të cilat i ka grumbulluar në një libër me të njëjtin titull “Besa”. Ndërsa destinacioni i tyre është gjithashtu një dokumentar, ku amerikani tenton të zbulojë arsyet që i shtynë këta njerëz, që të merrnin rrezikun në sy dhe të shpëtonin nga shfarosja gjermane, familje të tëra hebreje.