Tre fitues në “Kush do të bëhet milioner”
Vërtetë nuk u bënë milionerë, por dëshmuan se dijet që ata zotëronin ishin një pasuri e vërtetë. Tre fitues të tjerë dolën mbrëmë nga kuizi i shfaqur në Tv “Alsat”, “Kush do të bëhet milioner”. Neritan Vito e Erion Sejdijaj fituan nga 650 euro, ndërsa Alkeda Baxhija u pajtua me shumën prej 250 eurosh. Ishin katër kandidatë nga Shqipëria dhe katër të tjerë nga Kosova, që morën pjesë në mbrëmjen e nëntë të kuizit “Kush do të bëhet milioner”. Ishin pikërisht Alkeda Baxhija, Ana Abazi, Majlind Koçi, Kushtrim Fetiu, Erjon Sejdijaj, Neritan Vito, Blerin Bala dhe Basri Maxhuni. Tre prej tyre u dalluan më së shumti për shpejtësinë në përgjigje, duke fituar të drejtën për të vijuar garën e për t’u shkëputur nga konkurrentët e tjerë. Bashkë me Neritan Viton, Alkeda Baxhijan dhe Erion Sejdijajn publiku mësoi dhe zgjidhi shumë pyetje, që ndoshta ia kanë bërë vetes me kohë. “Kush do të bëhet milioner”, tashmë jo vetëm si një mik i çdo shtëpie shqiptare, por edhe i çdo moshe arriti në mbrëmjen e nëntë, duke ofruar përgjatë një ore njohuri të shumta. Edhe pse humbja dhe fitimi rrinë gjithnjë bashkë, tek Milioneri mbizotëron vetëm fitimi. Dje në mbrëmje, mësuam se “Qyteti i gurtë” është Gjirokastra, kompania “Clio” në vitin 1990 ia rikthen namin gjigantit të makinave “Renault”, bredhi nuk zhvishet në vjeshtë, programi ekonomik amerikan i vitit 1933 “New Deal” i Ruzveltit është i njohur në shthurjen e krizës së kohës, çmimi “Nobel” jepet për fizikë, ekonomi, kimi por jo për politikë; nocionet emërtuese Kobol, Perl, Piton lidhen me gjuhët programuese; abdikim quhet vendimi i mbretit që heq dorë nga pushteti mbretëror; polonishtja nuk është gjuhë latine, etj., etj. Por konkurrentët na treguan edhe për jetën e tyre, për qytetet nga vinin, profesionin, besimin, etj. Edhe kësaj here 50.000 euro mbetën të ngrira në pritje të sfiduesit të radhës. Të hënën që vjen, sërish në ekranin e “Tv Alsat” priten 8 konkurrentë të rinj dhe të tjerë fitues.