Çela, një buzëqeshje për të shpëtuar nga mbytja
Alma Mile
“Shoqëria njerëzore nuk ka nevojë gjithmonë të ndodhet në një anije për t’u mbytur”. Për shkrimtarin Zija Çela, fundosja vjen atëherë kur njerëzit qeshin gjithnjë e më pak. Thua të ketë vënë re pikërisht këtë sindromë në shoqërinë shqiptare, që krijoi një qytet si Balbona dhe një personazh që përcjell buzëqeshje si Jari Kaçinari. Pasi kanë kaluar pak ditë qëkur në treg doli libri i tij më i ri “SOS, një buzëqeshje”, shkrimtari Zija Çela zhvilloi dje një takim mes miqsh. Si për të dhënë e për të marrë mendime, pse jo edhe buzëqeshje. Tashmë është bërë e udhës, që kur një shkrimtar nxjerr një libër të ri, studiuesit e kritikët të nxitojnë e të thonë se ai është libri më i mirë i autorit. Ndoshta duhet të kalojnë pak kohë që libri të përtypet mirë, të “fundërrojnë” emocionet dhe të mbetet tharmi, që të mund të themi, në është më i miri, apo ndër më të mirët. E vërteta është që Zija Çela me këtë libër na sjell një mënyrë tjetër shkruari. Me këmbët në tokë, na çon në dimensionin e ëndrrës. Na bën të jetojmë në një qytet që nuk ekziston, por që e kemi përreth, që ia shohim rrugët, portat e shtëpisë. Na bën të dëgjojmë balbonasit, që nuk i kemi parë kurrë, por prapë na bëhet se i dëgjojmë. Aty është biznesmeni, që mendon se e gjithë bota rrotullohet rreth tij, vejusha e mbajtur që dëshiron që e bija të ketë një fat më të mirë se i saji, djali me sy të mëdhenj, që ëndërron me sy hapur… “Shoqëria shqiptare është në depresion të zgjatur. Që të jem i sinqertë, mua nuk më pëlqejnë gjërat direkte në letërsi dhe prandaj duhet të gjej metaforën që artistikisht të shprehem. Në kohë zjarri, momente depresioni, njerëzimi buzëqesh më pak dhe prandaj ka nevojë për këtë buzëqeshje”, thotë Zija Çela. Këtë bën në mënyrë të pavetëdijshme personazhi i romanit Jari Kaçinari, një djalë fillikat, që endet nëpër qytet me një brerore engjëjsh mbi krye. Çdo njeriu që sheh, ai i çon një mesazh telefonik, duke përcjellë në të vërtetë, jo ndonjë llogari telefonike, por një buzëqeshje. Kur balbonasit shihnin numrin e tij, qeshnin vetiu. “Sipas meje zemra është një bateri më vete, është zemra ajo që e transmeton dhe jo thjesht bateria e telefonit. Buzëqeshja për mua është një energji e së mirës. Nuk është e thënë që zemra e njeriut të jetë e jashtëzakonshme. Çdo njeri i zakonshëm ka mundësinë që të transmetojë mirësi pozitive dhe të veprojë në jetë me synimin, që duke u përhapur e mira, vetë shoqëria njerëzore bëhet më e mirë. Duke u përhapur e keqja shoqëria njerëzore do të bëhet më e ashpër dhe meskine. SOS është një sinjal ndërkombëtar dhe përdoret në rastet e një rreziku ekstrem. Ka mbetur i famshëm përdorimi i sinjalit SOS nga “Titaniku”. Por shoqëria njerëzore nuk ka nevojë gjithmonë të ndodhet në një anije për t’u mbytur”, thotë Çela. Libri i tij zhvillohet në një jetë që nuk ekziston. Personazhit kryesor i bëhet se merr telefonata të çuditshme nga ndonjë guvernator qiellor, apo nga vetë Zoti. Flitet për depozita bankare, por edhe për një depozitë të veçantë që është ajo jetësore. Është llogaria në ditë, që jeta e çdo njeriu ka dhe jo rrallë herë nuk di se si ta shpenzojë. Nuk ia di vlerën, e shpenzon kot, apo i bëhet barrë, të cilën e tërheq zvarrë, deri sa ajo ta vërë përposhtë e t’ia marrë frymën. “Të humbësh sensin e jetës dhe të biesh në dëshpërim, të të vritet shpresa, është momenti më i rrezikshëm për një shoqëri njerëzore. Ndoshta ky roman synon të hedhë dritë pikërisht për këtë; për të karikuar shpirtin njerëzor që të ndritë e të ecë përpara”, - thotë romancieri. Megjithatë andej nga fundi, shkrimtari na bën të besojmë se djali me buzëqeshje të madhe vdes (vritet) pikërisht duke dhuruar buzëqeshje. Pastaj këtë siguri na e vë në dyshim, në pjesën e fundit të librit, ku mund të hamendësojmë dh eta thurim edhe njëherë ngjarjen nga e para. “Jari për mua është hija e shumë të rinjve. Jari është dhimbja ime e madhe e këtij shpirti të madh, të këtij njeriu. Gjithsesi kam dashur ta shpëtoj dhe prandaj përdora fundin e hapur. Është dhe një shpresë. Fundi i hapur është karakteristikë e modernitetit në letërsi për ta zbuluar dhe për ta vënë më tepër në lëvizje mendimin dhe fantazinë e lexuesit. Pra lexuesit duhet t’i punojë mendja e të shprehë dëshirën e vet. Si do të donte të ishte vrarë personazhi kryesor apo ndodhet diku në arrati? Prandaj e lë një dritare hapur”.
Autori
Ka lindur më 25 mars 1946 në qytetin e Shkodrës. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës për letërsi në vitin 1968. Është autor i disa veprave si “Buletini i borës”, “Eklips...”, “Mali i tejdukshëm”, “Shtëpia e lepujve”, “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës”, “Monedha e dashurisë”, “Banketi i hijeve”, “Një fjalë me lejen e Zotit”, “Lëngata e Hënës”, “Oborri i një tirani të fshehtë”, “Gjaku im i errët”, “Las Varrezas”, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes...”
Libri
“SOS, një buzëqeshje”, është romani më i fundit i shkrimtarit Zija Çela. Ka 272 faqe, botim i “Ideart” dhe kushton 700 lekë. “Ky roman mund të ketë 5-6 vjet që është mbjellë tek unë. Ajo vjen e rritet derisa detyrohet të dalë. Për ta shkruar më janë dashur dy muaj e gjysmë. Me time shoqe nuk e kemi shumë zakon të diskutojmë, por nuk mu durua dhe i thashë: Më duket kam dështuar me romanin. Ajo më tha një gjë që më habiti: Mos është një gjë e re, unë e di që kjo nuk është hera e parë që t’i mendon kështu”, - rrëfen shkrimtari.