E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja Yzellari humb gjyqin për vrasjen e djalit të saj në Maqedoni

Erigerti 12-vjeçar u ekzekutua në vitin 1998 vetëm 150 metra pasi kaloi kufirin me disa fëmijë të tjerë nga Pogradeci

POGRADEC -Është mbyllur në Ohër të Maqedonisë një proces gjyqësor që zgjati gati pesë vjet nga familja Yzellari nga fshati Hudënisht i Pogradecit, e cila akuzon policinë maqedonase për vrasjen e djalit të tyre 12-vjeçar Erigert Yzellari.

Edhe pse po mbushen 12 vjet nga ngjarja tragjike, ku i mituri u vra 150 metra në thellësi të tokës së shtetit fqinj nga policët maqedonas, familja ruan dëshmitë dhe provat që vrasja është kryer pa asnjë motiv dhe djalit të tyre ende pa vdekur i janë marrë organet e brendshme.

Nëna e 12-vjeçarit të vrarë në kufi, Flora Yzellari, dëshmoi në gjyq se në pranverën e vitit 1998, 6 fëmijë pogradecarë nga fshati Hudënisht ishin marrë nga disa trafikantë të cilët tufat e lopëve do t'i kalonin matanë kufirit dhe këtë ua besuan fëmijëve për një shpërblim prej 1 000 lekësh të reja secilit.

Lopët duheshin çuar deri në fshatin maqedonas Frëngovë. Ka qenë ora 6:20 e mëngjesit kur 150 metra brenda vijës së kufirit maqedonase në afërsi të tunelit të Qafë-Thanës janë dëgjuar të shtëna armësh automatike, ku mbeti i vrarë 12-vjeçari.

ipas nënës së tij, trupi i të birit është marrë që në atë orë dhe është kthyer në fshat në orën 18:00 të pasdites. Por gjatë larjes së trupit të djalit, mësohet se ai kishte qepje të barkut dhe nuk kishte organet e brendshme.

Një gjë e tillë bëri që familja të hidhte në gjyq policinë maqedonase për atë çka i shkaktuan të birit, ndërkohë që ata thonë se në kohën që ndodhi ngjarja stacionet televizive maqedonase u shprehën se një tufë fëmijësh ishin futur në tokën maqedonase për të trafikuar armë.

Por pas shumë vitesh në gjyqe, nga ana e drejtësisë maqedonase është hedhur poshtë pretendimi i prindërve, duke e cilësuar gjithçka si një incident kufitar dhe duke u shprehur se djaloshi 12-vjeçar ishte vënë në shërbim të trafikantëve. Ndërkohë, nëna e Erigertit, thotë se ata do ta çojnë çështjen në gjykatën ndërkombëtare për të arritur tek e vërteta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›