Debitori i fajdeve merr 100 mijë euro nga gjykata
Drejtësia shqiptare vepron me shpejtësi, duke i kthyer një debitori grek të firmave piramidale shqiptare një pasuri prej 100 mijë eurosh. E kundërta ndodh me drejtësinë greke, e cila ka shpërfillur çdo kërkesë të shtetit shqiptar dhe shoqërive huamarrëse për të kthyer në atdhe miliona USD që janë transferuar pas falimentimit të disa firmave piramidale. Gjykata e Tiranës ka lëshuar disa ditë më parë një urdhër ekzekutimi, ku urdhërohet përmbarimi që të veprojë për t’i kthyer një pasuri shtetasit Kristo Siontis, shoqëria e së cilit është debitore në shumën prej 3.5 milionë USD në firmën “Gjallica”. Kjo e fundit, pak kohë para se shteti të shpallte falimentin, i ka huazuar shoqërisë “Siontis” tre milion e gjysmë dollarë me qëllim ndërtimin e qendrës së biznesit në Vlorë, por që nuk arriti ta nisë për shkak të trazirave të vitit 1997.
Urdhri i ekzekutimitGjykata e Tiranës ka lëshuar disa ditë më parë një urdhër ekzekutimi, me kërkues shtetasin grek Kristos Siontis dhe objekt “Lëshimin e urdhrit për ekzekutimin për vendimin nr.10798, datë 15.12.2008 të Gjykatës së Tiranës, ndryshuar me vendimin nr.509, datë 19.03.2010 të Gjykatës së Apelit Tiranë”. Gjatë hetimit gjyqësor rezultoi se më datë 15 dhjetor 2008, Gjykata e Tiranës, pasi ka përfunduar gjykimin e çështjes civile me nr.585.akti, ka vendosur përfundimisht me vendimin nr.10798 pranimin e padisë, duke detyruar palën e paditur të paguajë shuma të caktuara parash dhe të dorëzojë sende. Ky vendim është ndryshuar nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila ka vendosur pranimin e pjesshëm të padisë, duke ulur vlerat e shpërblimeve. Në seancën gjyqësore u diskutua edhe nëse vendimet ishin tituj ekzekutivë dhe në fund u vendos se “gjykata çmon që vendimi i paraqitur nga kërkuesi i këtij gjykimi, përbën titull ekzekutiv. Lidhur me sa më sipër, gjykata çmon se kërkesa e kërkuesit Kristos Siontis duhet pranuar si e bazuar në ligj dhe në prova dhe për pasojë duhet lëshuar urdhri i ekzekutimit”.
Prona në ElbasanKrahas veprimeve të shpejta të shtetasit Kristo Siontis për të rimarrë sendet, grupi mbikëqyrës i firmave rentiere i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës sekuestrimin e disa makinerive në qytetin e Elbasanit, në pronësi të firmës greke “Siontis”, e cila është debitore në shumën prej 3.5 milionë USD në firmën “Gjallica”. Makineritë janë “ngrirë” në një firmë në qytetin e Elbasanit, ndërsa paraprakisht kanë ardhur edhe ofertat e para për blerjen e tyre. Firma shqiptare, e cila ka humbur gjyqin me “Siontis”, është e gatshme t’ia blejë shtetit shqiptar. Pas konstatimit të kësaj pasurie, administratorët e firmave piramidale filluan punën për sekuestrimin e tyre, ndërsa aktualisht i kanë kërkuar Gjykatës së Tiranës ekzekutimin e vendimit të Përmbarimit, i cili kishte shpallur debitore firmën “Siontis”, që drejtohet nga shtetasi Kristo Siontis. Ky i fundit është biznesmen dhe ka qenë deputet në Parlamentin e Greqisë dhe aktualisht është konsull nderi i Italisë në Janinë. Pritet që për këtë pasuri Gjykata e Tiranës të lëshonte disa vendime dhe disa urdhra ekzekutivë, ndërsa ende shteti grek nuk ka ndërmarrë asnjë nismë ligjore për të depërtuar miliona USD të fajdeve shqiptare.
#