E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga arresti shtëpiak drejtonte trafikun e drogës

Policia e kryeqytetit riarreston Armando Canajn, lirimi i të cilit solli përplasje të gjykatës me prokurorinë

Dërgohet sërish në burg Armand Canaj, i akuzuar për shitje të lëndëve narkotike, i cili ishte liruar nga gjykata katër ditë pas arrestimit. Bëhet fjalë për të arrestuarin gjatë operacionit “Baçja”, i cili njihej edhe si “Mandi i Dijes”, e në momentin që u lirua nga gjykata, pati reagime të ashpra si nga prokuroria, ashtu edhe nga policia. Ditën e djeshme, policia ka ridërguar në qeli Canajn, pasi gjykata ka rivlerësuar masën e sigurisë, duke dhënë “arrest me burg” për të. Sipas të dhënave, fillimisht gjykata vendosi “arrest shtëpie” për të. Ndryshimi i masës nga “arrest në burg” që ka kërkuar prokuroria për Armando Canajn, në “arrest shtëpie”, ka sjellë edhe reagimin e parë, atë të Prokurorisë dhe më pas atë të policisë. Organi i akuzës së Tiranës, si dhe drejtues të lartë të policisë, i kanë kërkuar KLD-së që të nisë menjëherë hetimin e këtij rasti dhe kanë kërkuar që gjykatat të jenë një mbështetje në goditjen e krimit të organizuar. Pas dhënies së vendimit për drejtuesin e grupit kriminal, i cili u kap më 3 shkurt të këtij viti nga policia e Tiranës me 8 doza heroinë dhe një kokainë, ka sjellë menjëherë edhe reagimin e prokurorisë, e cila këtë vendim të masës së sigurisë në “arrest shtëpie” e ka apeluar në Gjykatën e Apelit. Gjatë kësaj kohe, policia dhe prokuroria kanë vërtetuar se Canaj drejtonte trafikun dhe shitjen e drogës nga shtëpia, ku qëndronte nën masën e arrestit. Kështu, dje është vendosur ndryshimi i masës dhe ai është riarrestuar nga shërbimet e Antidrogës. Në shkurt, policia zhvilloi operacionin e koduar “Baçja”, i cili çoi në arrestimin e 4 personave dhe sekuestrimin e disa dozave heroinë. Kapja e Armando Canajt dhe Jetnor Ademit u realizua në afërsi të rrugës “Fortuzi” në Tiranë, ndërsa kapja e Alban Demirajt dhe Endri Avdylit u mundësua në afërsi të një lokali në Shkollën e Bashkuar Tiranë. Gjatë arrestimit të tyre, policia arriti të sekuestronte një sasi prej 8 dozash heroinë, me një peshë prej 4 gramësh, si dhe një sasi pre 0.5 gramësh lëndë pluhur me ngjyrë të bardhë, e dyshuar si kokainë. Mësohet se ky grup e realizonte shitjen e lëndëve narkotike, kryesisht heroinë, në zona të ndryshme të Tiranës, si ajo e Spitalit, Selvia, Linzë-Teleferik, Rruga e Elbasanit, Stacioni i Trenit, rruga “Fortuzi”, si dhe në shkollën e mesme “Partizani”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›