Aksidentet, një i vdekur dhe katër të plagosur
Fillimjava ka shënuar katër aksidente automobilistike, për pasojë një person ka gjetur vdekjen, ndërkohë që katër të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mbrëmjen e djeshme, në aksin nacional Fushë- Krujë-Tiranë, një autoveturë tip “Benz” me targa të Tiranës është përplasur me një furgon po nga kryeqyteti. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i vdekur drejtuesi i furgonit, 50-vjeçari Agim Milla, ndërsa kanë mbetur të plagosur rëndë 17-vjeçari N. Xheka, si dhe 50-vjeçari H. Pasha. Ndërsa në Berat, rreth orës 10.30 të ditës së djeshme, afër shkollës nëntëvjeçare “22 Tetori”, autobusi urban ka përplasur një fëmijë 8-vjeçar. Vogëlushi me inicialet F.R., mësohet se ka dashur të kalojë nga një anë rruge në tjetrën dhe i ka prerë rrugën autobusit. Vogëlushi është goditur në kokë dhe ka humbur ndjenjat. Kalimtarët e rastit i kanë dhënë ndihmën e parë fëmijës, i cili tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa dje, në Bulqizë, një 20-vjeçar është plagosur në një aksident automobilistik. Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites, kur një autoveturë tip “Benz”, me targa të huaja BC 04043, ka dalë nga rruga, në dalje të qytetit të Bulqizës, drejt Peshkopisë. Për pasojë. drejtuesi i mjetit, S.T., është plagosur. Po dje, në Nartë të Vlorës, një cisternë që transportonte 24 tonë gaz të lëngshëm është përplasur me një shtyllë elektrike. Për pasojë. automjeti është përmbysur duke rënë në një kanal në anë të rrugës, duke shkaktuar edhe dëmtim të rrjetit elektrik të zonës. Në vendngjarje kanë mbërritur reparti i zjarrfikëseve, duke qëndruar në gatishmëri për disa orë nga rreziku i një shpërthimi të mundshëm. Pas disa orësh është bërë nxjerrja e një sasie të konsiderueshme të gazit dhe më pas është bërë heqja e cisternës me një vinç të tonazhit të rëndë. Sipas specialistëve, rreziku ka qenë i madh, pasi shpërthimi i gazit mund të shkaktonte një katastrofë të përmasave të jashtëzakonshme.
#