Vidhet gjatë natës zyra e shërbimit postar
Zyra e shërbimit postar në qytetin e Bilishtit është vjedhur mbrëmjen e së dielës nga persona ende të paidentifikuar nga policia. Ngjarja është konstatuar mëngjesin e së hënës nga punonjësit e kësaj zyre. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar uniformat blu, të cilët kanë arritur në përfundimin se autorët e kësaj grabitjeje, kanë hyrë brenda zyrës së shërbimit postar me thyerje të dritares. Ata kanë mundur të marrin nga kasaforta e zyrës një shumë prej 200 mijë lekësh dhe më pas janë larguar pa u pikasur nga ndonjë dëshmitar. Mendohet se autorët e vjedhjes mund të kenë synuar grabitjen e një shume më të madhe parash, duke menduar se në të ishin lekët e pensioneve apo të atyre që përfitojnë ndihmë social-ekonomike. Policia tha se në vendin e ngjarjes janë lënë gjurmë që mund të çojnë në identifikimin dhe arrestimin e grabitësve të zyrës së shërbimit postar në qytetin e Bilishtit, por për momentin ende nuk ka të ndaluar.
#