E Shtunë, 31 Tetor 2026

Librazhd, pranga vrasësit të nënës

ARRESTIMI/ Haki Miska akuzohet për vrasjen e së ëmës, si dhe plagosjen e së bijës 20-vjeçare

Policia pritet të nisë hetimet për zhdukjen e bashkëshortes së 50-vjeçarit 10 vjet më parë

LIBRAZHD - Haki Miska, 50-vjeçari që goditi me sopatë nënën dhe plagosi të bijën, është vënë në pranga nga agjentët e policisë gjatë një kontrolli në disa banesa të braktisura në Ostren të Bulqizës në Dibër. 50-vjeçari kishte gjetur një shtëpi pa njeri dhe kishte krijuar mundësitë për të jetuar, duke ndezur zjarr dhe duke marrë ushqime në zone për të vijuar qëndrimin në të pa rënë në sy.

Por banorët e zonës kanë pasur dyshime lidhur me një të huaj që kishte ardhur dhe si pasojë kanë njoftuar policinë.Vetëm të dielën në mëngjes agjentët kanë zhvilluar një kontroll të befasishëm duke e gjetur në gjumë 50-vjeçarin. Ky i fundit nuk ka bërë asnjë rezistencë, por është dorëzuar duke u shoqëruar fillimisht në komisariatin e Librazhdit dhe më pas në drejtorinë e policisë së Elbasanit.

Haki Miska pritet të merret sot në pyetje nga oficerët e Policisë Gjyqësore lidhur me ngjarjen e regjistruar 10 ditë më parë. Në momentin e arrestimit ai nuk ka rezistuar, por as nuk ka pranuar që të flasë.

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet 50-vjeçari u regjistrua në 5 shkurt kur Miska gjatë një sherri në familje ka marrë sopatën dhe ka goditur nënën e tij 71-vjeçare, duke i shkaktuar asaj vdekjen.

E dëmtuar ka mbetur edhe vajza e tij 20-vjeçare, e cila ka tentuar ta ndalë babanë që të mos qëllonte gjyshen, por ka marrë një goditje në afërsi të veshit, si dhe dëmtime të tjera. Vajza ishte ajo që njoftoi policinë lidhur me ngjarjen e ndodhur, ndërsa më pas u transportua drejt spitalit të Librazhdit, ku dhe mori mjekimet e duhura.

Nga dita e ngjarjes, policia e Elbasanit kishte filluar kërkimet për gjetjen e autorit që u largua menjëherë pas ngjarjes nga fshati. Fillimisht u mendua që 50-vjeçari kishte kaluar kufirin me Maqedoninë, por vetëm të shtunën nga një informacion i mbërritur në sallën operative, policia ndërroi drejtim dhe i përqendroi kërkimet në kufi të Librazhdit dhe Dibrës, në Ostren. Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se burri kishte ecur në këmbë deri në një prej shtëpive të braktisura, ku ishte fshehur për disa ditë.

Ai kishte blerë edhe ushqime në fshatrat aty afër dhe duke qenë se banorët nuk e njihnin i ka bërë të dyshojnë dhe të lajmërojnë policinë. 50-vjeçari do të përballet me akuzën e "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese".

Pritet që të rihapen hetimet edhe për zhdukjen e Mimoza Miskës, bashkëshortes së Haki Miskës, 10 vjet më pare, zhdukje e cila nuk arriti të dokumentohej kurrë.

Sherri në familjen Miska ka vazhduar për vite me radhë për faktin se nëna e tij e vrarë, Dija, por edhe fëmijët dyshonin se kishte qenë pikërisht kryefamiljari ai që kishte vrarë dhe më pas kishte zhdukur trupin e bashkëshortes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›