Dëbora, 27 komuna ende të bllokuara

Dëbora vazhdon të mbajë të bllokuara 27 komuna në gjithë vendin. Kjo është harta e izolimit në të gjithë vendin edhe pse ka 4 ditë që nuk bien më reshje dëbore.
Situata rrugore paraqitet më e mirë pasi një pjesë e akseve janë të hapura, por temperaturat e ulëta të këtyre ditëve kanë shkaktuar ngrica të cilat kanë vështirësuar qarkullimin.
Në qarkun e Shkodrës, akset rrugore kombëtare janë të hapura me përjashtim të segmenteve Qafë Mal- Qafë Shllak dhe Qafë Mal-Fierzë, ndërsa po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin akset rrugore kombëtare me qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Kelmend, Iballë, Fierzë, Blerim dhe Qelëz.
Ndërkohë në qarku i Kukësit po punohet ende për hapjen e segmentit prej 3 km Kukës-Qafë Shllak dhe Domaj-Draj Reç, po kështu po punohet edhe në akset që rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shishtavec, Bushtricë, Grykë Çaje, Kalis, Surroj, Lekbibaj, Llugaj, Bytyç dhe Arrën.
Në qarkun e Dibrës janë hapur akset rrugore kombëtare me qendrat e komunave Zall Dardhë, Trebisht, Arras, Luzni. Vijon puna dhe është pranë përfundimit, për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Kala e Dodës, Selishtë, Lurë, Zall Reç, Ostren.
Në Qarkun e Korçës tashmë ka përfunduar puna për lidhjen e qendrave të komunave të bllokuara me rrugët kombëtare.
Ndërkohë vijojnë fluturimet për të transportuar të sëmurë dhe shpërndarje ndihmash në disa zona të bllokuara. Sipas njësisë së helikopterëve mejeksësor gjatë ditës së djelë janë bërë 3 misione. I pari ka qënë në Kurbnesh të Mirëditës, i dyti në Librazhd në mesditë helikopteri mjekësor është nisur drejt fshatit Bicaj të Kukësit për të transportuar një të sëmurë .
Meterologët e Metoalbit kanë parashikuar rikthim të motit me diell dhe përmirësim të situatës në veri dhe verlindje të vendit. Pas ditës së martë në të gjithë territorin e vendit do të mbizotërojë mot i qëndrueshëm si dhe me një rritje të ndjeshme të temperaturave pa prezencë të reshjeve të dëborës në zonat malore.