Dëbora, Rruga e Kombit sfidë për shoferët
Rruga e kombit është kthyer në një sfidë për drejtuesit e automejteve për të qarkulluar në këto ditë të ftohta dimri. Më e vështirë situata paraqitet në hyrje të Repsit në Mirditë ku trashësia e dëborës është tepër e madhe, ndërsa gjatë natës dëbora ia lë vendin ngricave të cilët vështirësojnë edhe më tepër lëvizjen përgjatë kësaj autostrade.
Nga një vëzhgim i bërë me kameran e “Ora News”, nga Miloti e deri në Tunelin e Thirrës duken qartë vështirësitë që hasin drejtuesit e mjeteve për të lëvizur,ku shpesh herë ka patur edhe dalje nga rruga si pasojë e ngricave. Përballë kësaj situate shoferët ankohen se drejtoria e rrugëve nuk ka marrë asnjë masë për të mirëmbajtur këtë segment rrugor, ndërsa edhe borëpastruesit shihen rrallë për të pastruar dëborën e cila vende vende arrin edhe në 1 metër trashësi.
Situata bëhet edhe më problematike pasi përgjatë gjithë gjatësisë së saj nuk ka asnjë tabelë sinjalizuese se si duhet të qarkullojnë automjetet, në mënyrë që të mos mbeten në rrugë ku dhe policia rrugore shihet rrallë herë për t`i këshilluar ata. Që prej fillimit të stinës së dimrit lëvizja në këtë segment rrugor është vështirësuar se tepërmi si pasojë e reshjeve të dëborës, ndërsa ndërhyrjet nga ana e drejtorisë së rrugëve nuk kanë patur vëmendjen e duhur për të mirëmbajtur këtë segment mjaft të rëndësishëm rrugor.