E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora, akset nacionale me zinxhirë, bllokohen ato rurale

14/12/2010  Në Elbasan dhe Korçë, firmat nënkontraktore në dispozicion për situatën

Dëbora e rëndë gjatë natës ka bërë që në qarkun e Elbasanit që dy segmentet Qafë-Krrabë - Gracen dhe Përrenjas- Qafë-Thanë që janë në një lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit të bllokohen nga dëbora e të jenë të kalueshme vetëm nëpërmjet zinxhirëve. Ndërkohë mbeten të bllokuara disa komuna prej rrëshqitjeve të dherave. Mësohet se komunat Kukër e Kodovjat mbeten akoma të bllokuara rrugët që lidhin rrugët nacionale me këto fshatra. Shefi i Emergjencave Civile pranë prefekturës Mustafa Arapi tha se në zonën e Gramshit kemi pasur bllokim të rrugëve. Drejtoria e Rrugëve Rurale ka marrë masa dhe po përpiqet të normalizojë situatën. Kreu i Emergjencave, Arapi, konfirmoi edhe një herë problemet në zonën e Gramshit. Sipas tij është i bllokuar aksi rural Librazhd-Orenjë po punohet për zhbllokimin e këtij aksi nga Ndërmarrja e Rrugëve Rurale. Gjithashtu mësohet se në disa zona dëbora është duke arritur një trashësi të konsiderueshme. Komunave u është kërkuar ndërhyrja dhe mbajtja në koherencë të situatës. Duket se situata është më shpresëdhënëse për sa u përket rrugëve nacionale. Sipas Arapit, aksi Përrenjas - Qafë-Thanë është i kalueshëm me anë të zinxhirëve. Aksi Qafë-Krrabë - Gracen ka qenë i bllokuar për disa orë dhe është bërë i kalueshëm vetëm dje në mëngjes dhe nuk ka probleme. Ai theksoi se akset nacionale janë të kontraktuara dhe firmat private kanë pajisjet dhe mundësitë për të përballuar çdo situatë. Arapi ka këshilluar drejtuesit e mjeteve që të marrin masa për sigurinë e tyre në lëvizje. “Është e mirë qysh nga fillimi i dëborës mjetet të mos lëvizin pa pajisje sigurie siç janë zinxhirët dhe sidomos në zonat malore”.

Edhe në qarkun e Korçës, qafat e maleve në këtë rajon vijojnë të mbeten problematike, për sa i përket qarkullimit të automjeteve, pasi në këto qafa malesh, lëvizja e mjeteve është e mundshme vetëm me zinxhirë. Si në çdo stinë dimri, më të rrezikuara nga bllokimi mbeten Qafa e Thanës dhe Qafa e Plloçës, të cilat lidhin qytetin e Pogradecit me Korçën, por edhe qarkun e Korçës me rrethet e tjera të vendit. Ndërkohë po kaq e rrezikuar nga dëbora mbetet edhe Qafa e Qarrit që lidh Korçën me rrethin e Kolonjës. Megjithatë, fal përpjekjeve të kryera nga drejtoritë e mirëmbajtjes së rrugëve dhe firmat nënkontraktore që kanë marrë përsipër mbajtjen hapur të rrugëve, u bë e mundur që në të gjitha akset të mos ndërpritej qarkullimi, me përjashtim të vendeve të përmendura më sipër, ku drejtuesit e mjeteve duhej të lëviznin me zinxhirë. Reshjet e dëborës, të cilat nisën në orët e vona të natës dhe që vijuan për disa orë edhe paraditen e së hënës, mbuluan gjithë rajonin e Korçës. Trashësia e dëborës në brendësi të qyteteve shkoi mbi 10 cm, ndërsa në zonat malore lartësia e saj shkoi gati në 40 cm. Megjithatë, pritet që gjatë orëve të vona të natës me rënien e temperaturave, qarkullimi i automjeteve të vështirësohet edhe më tej, pasi të gjitha akset do të vishen nga dëbora e ngrirë. Gjithsesi, burime pranë Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve në Korçë bënë të ditur se po bëhen të gjitha përpjekjet që rrugët të mbahen të hapura, veçanërisht Qafa e Thanës, e cila gjendet në aksin rrugor më të rëndësishëm të këtij rajoni, pasi mban në lëvizje gjithë automjete që vijnë nga 5 dogana dhe për më tepër mundëson lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve me vendet fqinj. Ndërkohë burime zyrtare bënë të ditur se disa rrugë në zonat rurale janë të bllokuara, veçanërisht rruga që lidh Voskopojën me Lekasin, si dhe disa rrugë që lidhin komunat malore me Pogradecin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›