E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora bllokon 180 automjete dhe 3 deputetë në Qafë-Ulëz dhe Dibër



Reshjet e shumta të dëborës kanë shkaktuar vështirësi në trafik, nga ku në Qafë-Ulëz kanë mbetur të bllokuar rreth 100 automjete, ndërsa në Dibër 80. Sipas burimeve, por edhe deklarimeve me telefon nga udhëtarët, në makina ka pasur edhe gra e fëmijë, të cilët kanë vuajtur temperaturat e ulëta. Mes të bllokuarave në zonnë e Dibrës janë edhe tre deputetët e PDK-së, Nard Ndoka, Ndue Shpani dhe Frrok Gjini, të cilët deklarojnë se aksi rrugor është tejet i pakalueshëm. Probleme ka pasur edhe në Qafë-Buall, ku reshjet e dëborës i kanë bërë rrugët të pakalueshme. Autoritetet shtetërore reaguan menjëherë pas situatës së vështirë, duke nisur në vendngjarje mjete borëpastruese dhe forca për t’u ardhur në ndihmë personave të bllokuar. Kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli, ka deklaruar se Shtabi i Emergjencave Civile është në gatishmëri të plotë për të përballuar situatën. Në lidhje me situatën problematike në Qafë-Buall e në Qafë-Ulëz, Olli theksoi se gjithçka është nën kontroll, por bëri të ditur se për shkak të erës së fuqishme ka pasur vështirësi pune në Bulqizë. Ka qenë pikërisht përkeqësimi i situatës në vend që ka detyruar mbledhjen e Shtabit Qendror të Emergjencave Civile, të kryesuar nga Genc Pollo, zëvendëskryeministër, si dhe Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Maksim Malaj, Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile (MB) z. Alfred Olli, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Ahmet Prençi, drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), z. Ymer Balla, drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), z. Sahit Dollapi dhe drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, z. Andi Toma. Sipas raportimeve, mësohet se kanë vazhduar reshjet e dëborës në disa krahina të vendit dhe është nevoja për ndërhyrje, për të mbajtur të hapura akset rrugore, sidomos atë Pukë–Kukës dhe Ulëz- Bulqizë. Shtabi vendosi dje që fadromat e ushtrisë të niseshin për në Bulqizë dhe Pukë, për të ndihmuar në punën që po bëhet nga Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Në të njëjtën kohë, shtabi u bën thirrje qytetarëve që të evitojnë udhëtimin në këto rrugë dhe nëse udhëtimi është i domosdoshëm, të përdorin vetëm automjete me zinxhirë në goma. Ndërkohë mësohet se është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, pasi linja e tensionit të lartë Bulqizë-Peshkopi, ajo e Kurbneshit/Mirditë dhe e Librazhdit janë shkëputur për shkak të dëborës e stuhisë. Burimet bëjnë të ditur se OST po punon për riparimin dhe në orët e mbrëmjes pritet të rivendoset linja e Librazhdit. Gjithashtu, grupe të gatshme mjekësore, si dhe helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë do të qëndrojnë në gatishmëri për të ndërmarrë operacione kërkim-shpëtimi sipas nevojës. Shtabi Qendror udhëzoi shtabet pranë prefekturave që të qëndrojnë të mbledhur vazhdimisht për të drejtuar e koordinuar veprimtarinë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›