Gent Xholi; Çështjet e korrupsionit në administratë, më të lartat për 2008-ën
Krim në rritje dhe pakënaqësi ndaj policisë për sigurimin e provave. Ndërkohë që përgjatë vitit 2008 është parë një rritje e numrit të çështjeve për korrupsionin në administrata. Këto kanë qenë disa nga shqetësimet e ngritura dje nga kreu i organit të akuzës për kryeqytetin, Gent Xholi, gjatë prezantimit të rezultateve të punës së vartësve të tij për vitin e kaluar. Deklarimet u bënë dje në prani edhe të Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, e cila përgjatë këtij muaji ka qenë pjesë e analizave në të gjitha prokuroritë e vendit. Sipas kreut të Prokurorisë së Tiranës, kemi një krim në rritje kundër personit dhe pronës në kryeqytet, veçanërisht për 6-mujorin e fundit, ku sipas tij, vjedhjet me dhunë po spikasin në fushën e kriminalitetit. “Shifrat e krimit janë në rritje, në një kohë kur shumë çështje mbyllen”, - u shpreh kreu i Prokurorisë së Tiranës, Gent Xholi, duke mos kursyer kritikat për policinë. Pasi iu referua 920 çështjeve të pushuara, një shifër kjo mjaft e lartë, Xholi ia vuri fajin policisë së Tiranës që, sipas tij, nuk sjell provat e duhura, madje në disa raste, të implikuar në drogë dhe vrasje, janë liruar për shkak të mungesës së provave. “Në rastet kur është vendosur pushimi i çështjeve penale për persona të kapur me lëndë narkotike, shkak ka qenë se në ekspertimin e lëndës ka rezultuar se nuk bëhej fjalë për drogë. Nga ana tjetër, në momentin e caktimit të masës së arrestit nuk ka pasur asnjë dyshim se lënda ka qenë narkotike”, - u shpreh Xholi. Më tej, kreu i prokurorisë së kryeqytetit ka përmendur edhe numrin e lartë të çështjeve për korrupsion, të hetuara nga Njësia e Task-Forcës, ato të kontrabandës dhe vepra të tjera penale në fushën e tatimeve. “Gjatë këtij viti në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë janë regjistruar 6.989 kallëzime penale, të cilat kanë ardhur në përqindje më të madhe nga Policia e Shtetit. Në krahasim me një vit më parë janë regjistruar 168 kallëzime më shumë. Nga hetimi i tyre është vendosur për shqyrtim të 469 rasteve dhe mosfillimi i shqyrtimit për 2061 raste, ku aktualisht 259 kallëzime janë mbartur për vitin 2009. Në krahasim me vitin 2007 është rritur me 468 numri i atyre rasteve ku është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Kjo rritje ka ardhur si pasojë e vëmendjes më të madhe që është ushtruar për mosstudim dhe verifikim të materialit kallëzues”, - u shpreh prokurori Xholi gjatë prezantimit të statistikave për punën e prokurorëve të Tiranës. Megjithatë, korrupsioni në administratë vazhdon të mbetet shqetësues, duke parë numrin e lartë të çështjeve penale të regjistruara. Prokurori Xholi tha se “për sa u përket veprave penale për të cilat janë regjistruar procedimet, rezulton se vepra më e përhapur është ajo korruptive në detyrë. Nga 165 procedime të përfunduara, 137 procedime i përkasin atyre korruptive në detyrë”. Pas paraqitjes se statistikave, analiza vjetore u zhvillua me dyer të mbyllura, ku nuk mungoi drejtori i policisë, Tonin Voci dhe drejtori i Krimit të Organizuar, Nikolin Bala.
Reagimi
EURALIUS: Mediat, të pasakta për bashkëpunimin tonë me Ministrinë e Drejtësisë
Misioni i asistencës së BE-së në vendin tonë, EURALIUS, ka reaguar dje lidhur me disa shkrime mediatike për një raport të bërë publik prej tyre, ku kritikohej Ministria e Drejtësisë për njëanshmëri dhe mungesë bashkëpunimi në ligjbërje. Sipas tyre, nuk bëhet fjalë për një raport, por disa pjesë të raportit gjysmëvjetor, që janë keqinterpretuar mediatikisht. “Këtë javë, Misioni Evropian i Asistencës për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS) nxori raportin gjysmë-vjetor mbi ecurinë e projektit në gjashtë muajt e fundit”, - bëjnë të ditur burime zyrtare pranë këtij misioni, duke shtuar se “EURALIUS-i vuri në dukje bashkëpunimin shumë të mirë dhe intensiv me Ministrinë e Drejtësisë dhe aktorët e tjerë në fushën e drejtësisë. Misioni theksoi ndër të tjera arritjet, si ligjin e ri për ngritjen e një sistemi ekzekutimi me përmbarues privatë, si dhe prezantimin e shërbimit të provës në Shqipëri, duke mundësuar një përdorim më të gjerë të masave alternative kundrejt dënimit me burgim”. “EURALIUS u rikujtoi aktorëve që finalizimi dhe paraqitja e një projekti për një ligj të ri të Konferencës Gjyqësore Kombëtare do të ishte urgjentisht e nevojshme pas shfuqizimit së fundi të ligjit të mëparshëm nga Gjykata Kushtetuese. Misioni gjithashtu tërhoqi vëmendjen e aktorëve për rëndësinë e miratimit të shpejtë të projektligjit për Gjykatat Administrative, që tashmë është duke u shqyrtuar në Parlament. Informacioni në media i datës 19 mars 2009 mbi disa pjesë të raportit jep një pamje të pasaktë dhe të shtrembëruar të përmbajtjes së raportit dhe të përparimit në sektorin e drejtësisë”, - përfundon reagimi zyrtar nga misioni i asistencës së BE-së.
KLD
Debate në këshill për mbrojtjen e gjyqtarëve, propozohet emërimi i 10 magjistratëve
Në Këshillin e Lartë të Drejtësisë nisi dje diskutimi për projektvendimin e Këshillit të Ministrave, lidhur me mbrojtjen e veçantë personale, familjare dhe pasurore të gjyqtarëve, si dhe sigurimit të jetës dhe pasurisë së tyre. Anëtarët e KLD-së kanë debatuar lidhur me nevojat imediate për vënien në zbatim të garancive ligjore të mbrojtjes së gjykatave dhe gjyqtarëve, si dhe moszbatimin si duhet të ligjit për krijimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Rënda, si dhe rolin e Policisë së Shtetit në mbrojtjen e gjyqtarëve. Gjithashtu, KLD vendosi t’i transmetojë Ministrisë së Drejtësisë mendimet e saj mbi këtë akt nënligjor. Diskutimi u shty për në mbledhjen e ardhshme, ku pritet të diskutohet më gjerë për këtë projektvendim, duke pritur edhe sugjerime nga palët e interesuara për të. Gjatë mbledhjes së djeshme iu propozua Presidentit të Republikës dekretimi i dhjetë magjistratëve kandidatë për gjyqtarë për 10 nga 14 vendet vakante në disa gjykata në vendin tonë, të cilët kanë përfunduar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës 2007-2008 në dhjetë vende vakante. Propozimi për këto vende vakante u bë, sipas burimeve zyrtare, në bazë të rezultateve në shkollë dhe preferencave të tyre të dërguara pranë këshillit disa ditë më parë. Vendet vakante dhe emrat konkretë të magjistratëve janë konkretisht: znj. Rezarta Mataj propozohet të emërohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë; znj. Enerjeta Deraj, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë; znj. Sonjela Voskopi, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë; znj. Esmeralda Ceka, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë; znj. Alma Hoxha, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë; znj. Vojsava Osmanaj, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë; z. Gentian Hamiti, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier; znj. Matilda Shalla, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier; znj. Irida Kacerja, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe z. Ervin Trashi, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Sipas burimeve zyrtare nga KLD, vendet e sipërcituara janë vënë në dispozicion të magjistratëve në mbledhjen e mëparshme të këshillit të datës 09.03.2009. Në paraqitjen e çdo propozimi individual, Këshilli i Lartë i Drejtësisë konsideroi në koherencën më të mirë të mundshme, renditjen e magjistratëve sipas vlerësimit përfundimtar nga Shkolla e Magjistraturës dhe preferencat e shprehura prej tyre, kërkuar nga ana e këshillit disa ditë më parë.