E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i BE-së, reforma në drejtësi, e gabuar

EURALIUS-i kritikon qeverinë për punë të dobët, ndërhyrje në sistemin gjyqësor dhe mbivendosje kompetencash


TIRANË- Marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet qeverisë shqiptare dhe sistemit gjyqësor në përgjithësi, janë dënuar ashpër dje nga misioni i asistencës së Bashkimit Europian për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, EURALIUS. Kritikat më të forta të këtij raporti janë për reformën në drejtësi dhe ndërhyrjet e qeverisë në sistemin gjyqësor. Raporti në fjalë, përfshin periudhën gusht 2008- shkurt 2009, duke bërë një analizë të detajuar të sistemit të drejtësisë dhe marrëdhënieve të tij me ekzekutivin.


Në raport theksohet se qeveria nuk ka bërë asnjë përparim në reformën në drejtësi. Madje, ajo ka përkeqësuar situatën, duke përgatitur një ligj në mënyrë të njëanshme. Sipas raporti, ligji është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë dhe vetë EURALIUS-i duhet të jepte një mendim për të. Por, në kohën kur EURALIUS-i ishte duke u marrë me projektligjin, ai kaloi në Këshillin e Ministrave. Për këtë ligj nuk u pyetën grupet e interesit, por as ekspertët e huaj dhe ata vendas. Duke bërë një vlerësim të ligjit, EURALIUS-i është shprehur se ai ka krijuar konflikte me gjyqtarët, prokurorët dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Por, ekspertët e EURALIUS-it kanë kontaktuar me zyrtarët shqiptarë dhe kanë mësuar prej tyre se nuk do të ndërmerret asnjë veprim në lidhje me këtë ligj, përpara zgjedhjeve. "Drafti ka muaj që ndodhet në Parlament dhe kjo tregon se ka shumë pak gjasa që ai të kalojë përpara zgjedhjeve. Nga ana tjetër, shoqata e gjyqtarëve ka kundërshtuar disa nene të tij në Gjykatën Kushtetuese dhe Parlamenti mendojmë që do të presë vendimin e kësaj gjykate, përpara se të vendosë",- thuhet në raport.


Në këtë raport janë shënuar edhe përshtypje pozitive për punën e qeverisë dhe gjyqësorit, por edhe në këtë rast, është shënuar se përparimi është shumë i kufizuar. Sipas tij, qeveria nuk ka pasur asnjëherë një strategji të qartë për zhvillimin e sistemit të drejtësisë dhe nuk ka arritur që të vendosë dialogun ndërinstitucional me gjyqtarët dhe prokurorët. Edhe ajo "strategji" e përgatitur kohë më parë, është lënë pas dore dhe nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri. Duke iu rikthyer ligjit për sistemin e drejtësisë, EURALIUS-i pohon se ai u përgatit vetëm nga Ministria e Drejtësisë dhe ndërkombëtarët, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, shoqata kombëtare e gjyqtarëve dhe aktorët e tjerë mundën që të bënin komentet e tyre vetëm pasi projekti kishte kaluar në Këshillin e Ministrave. "Opinioni ynë për ligjin nuk është aspak pozitiv.

Ai ngre shqetësime në lidhje me pavarësinë e gjyqësorit, për vetë faktin që kancelarëve të gjykatave u caktohen fuqi që mund të interferojnë me kompetencat e gjykatësve. Nga ana tjetër, çështja e garantimit të statusit të nëpunësit civil në gjykata, është ambige dhe mbetet shumë e paqartë",- thuhet në raport.


Në raportin e EURALIUS-it, thuhet se një tjetër provë e mungesës së strategjisë nga ana e qeverisë shqiptare është edhe përgatitja e një projektrregulloreje për stafin e administratës gjyqësore dhe një kod etike për gjykatat. Të dyja këto dokumente u hartuan pa llogaritur ligjin e ri për administratën gjyqësore dhe nuk përputheshin me të. "Është e paqartë përse qeveria ka vendosur që të mos bëjë asnjë strategji për sektorin e drejtësisë. Në raportet e BE-së, qeveria shqiptare është inkurajuar në mënyrë të vazhdueshme që të dalë me një strategji të qartë për fushën e drejtësisë, por asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk ka dhënë shpjegime përse nuk është bërë kjo strategji",- thuhet në raport.

EURALIUS: Problem marrëdhëniet Qeveri - KLD


Një tjetër e metë e konstatuar nga EURALIUS-i, janë edhe marrëdhëniet mes qeverisë dhe KLD-së. Në raport thuhet se dialogu ndërinstitucional mes Ministrisë së Drejtësisë, KLD-së dhe gjyqësorit, është problematik. Sipas raportit, nuk ka asnjë konsultim të qenësishëm me grupet e interesit, ose konsultimet janë bërë në një stad të vonshëm, kur mundësia për të bërë ndryshime të rëndësishme ka qenë tepër e kufizuar. Të gjitha këto vërejtje të konstatuara nga misioni i asistencës së Bashkimit Europian për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, EURALIUS, pritet të ndikojnë në aplikimin e Shqipërisë për në BE. Nga ana tjetër, ligji ka shumë pak shanse të kalojë përpara zgjedhjeve të qershorit.

Biznesi paraqet planin antikrizë


Komuniteti i biznesit ka paraqitur planin e tij antikrizë, për përballimin e çdo skenari të mundshëm ekonomik që mund të ndodhë në vend. Në plan përfshihen një sërë kërkesash, nga krijimi i lehtësirave fiskale, deri tek liberalizimi i dhënies së licencave. Plani u prezantua dje gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë. Një ndër kërkesat e biznesit, është heqja e TVSH-së për importin e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore, dhe pagimi i TVSH-së vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive. Ulja e TVSH-së për importin e makinerive që përdoren në industrinë e ndërtimit dhe pagesa e saj me këste të zgjatura, ishte një nga kërkesat e tjera. "Biznesi i vogël të taksohet sipas vlerës së bilancit të thjeshtë të pranuar, të një viti më parë, dhe diferencat të kalibrohen në momentin e dorëzimit të bilancit të vitit në vazhdim. Në këtë kuadër, të gjenden dhe të aplikohen me shpejtësi instrumentet që i japin fund praktikës së pakuptimtë, abuzive dhe të dëmshme, sipas së cilës, pushteti lokal i takson këto biznese sipas një bilanci të supozuar dhe përherë më të lartë se ai reali",- thuhet në paketën e hartuar nga kjo asamble. Liberalizimi real i lejeve të ndërtimit është një nga kërkesat e paraqitura në planin e hartuar nga bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë. "Të hiqen pagat e referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël, atë shpk ose person fizik",- thuhet në deklaratën e përbashkët. Asambleja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë kërkon ngritjen e një komisioni koordinativo-konsultativ antikrize të nivelit të lartë, i përbërë nga anëtarë të komunitetit të biznesit, qeverisë, Bankës së Shqipërisë, komisioneve parlamentare të ekonomisë dhe ligjeve, etj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›