E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet, Tirana nën ujë



Me dhjetëra banesa dhe rrugë të kryeqytetit janë përmbytur nga reshjet e ditës së djeshme. Si pasojë u bllokuan disa akse rrugore dhe u përmbytën qindra banesa. Dhjetëra banorë u gjendën përballë me shtëpitë e tyre nën ujë, ardhja në ndihmë të tyre ishte e pamundur. Probleme të përmbytjes u shfaqën në lagjen e “Komunës së Parisit” në Tiranë të Re në kryeqytet. Një lagje kjo problematike për situatën e përmbytjes. Shkak i këtyre përmbytjeve janë bërë kanalizimet dhe ndërtimet e paligjshme të bëra në këtë zonë. Kjo situatë përsëritet sa herë bie shi, e megjithatë Bashkia e Tiranës nuk ka ndërmarrë asnjë projekt për rehabilitim. Përmbytje si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur edhe në zonën tjetër periferike të Tiranës, atë të Saukut. Banorë të zonës u shprehën se banesat e tyre ndodheshin nën ujë. Rreth 10 banesa katet e para të tyre i kanë tërësisht nën ujë. Për t’iu ardhur në ndihmë banorëve shkuan 2 furgona policie, ndërkohë banorët bënë thirrje për ndihmë. Ndërsa 70 banesa private janë përmbytur në rrugën e “Qelqit”, në Kombinat. Shkak i këtyre përmbytjeve është bërë intensiteti i lartë reshjeve të shiut të rëna gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme, të cilat kanë bërë që një përrua i ndodhur pranë banesave të dalë nga shtrati dhe të shkaktojë përmbytje. Mësohet se banorët kanë dalë jashtë banesave të tyre dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë për të normalizuar këtë situatë, ku banesat e tyre gjenden nën ujë. Ndërkohë mësohet se në vendin e ngjarjes mbërritën forca të shumta të policisë, të cilat do t’u vinë në ndihmë banorëve të kësaj zone të Tiranës. Njëri prej banorëve të kësaj zone, Altin Neli, është shprehur se shtëpitë e tyre gjendjen nën ujë, pasi një kanal kullues ka shpërthyer aty pranë. Gjithashtu, ai ka bërë apel për t’u ardhur në ndihmë. Banorët e lagjes numër 6 të Kombinatit janë të alarmuar për shkak të një indiference të shprehur ndaj tyre ndaj situatës në të cilën ata ndodhen. “Asnjë masë nuk është marrë, vazhdon të jetë situatë e njëjta”, - janë shprehur banorët. Ndërkohë mësohet se intensiteti i reshjeve të shiut duket se ka rënë disi.

Blerta Mrishaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›