Vrau dy vetë, prokuroria kërkon burg përjetë
PRETENCA/ Ardjan Narkaj qëlloi me armë duke i lënë të vdekur në vend Ton Ulajn dhe
SHKODËR - Burgim të përjetshëm ka kërkuar prokuroria për shtetasin Ardjan Narkaj i cili akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese të dy personave. Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar të enjten, akuza e përfaqësuar nga prokurorja Edlira Cufi ka lexuar konkluzionet përfundimtare të çështjes që lidhet me ngjarjen e ndodhur më 7 maj 2008 në fshatin Bratosh të komunës Kastrat në rrethin e Malësisë së Madhe.
Atë ditë mbetën të vrarë shtetasit Ton Ulaj dhe Gjergj Shotaj. Prokurorja kërkoi deklarimin fajtor të të dyshuarit kryesor Ardjan Narkaj për "vrasje në rrethana cilësuese" dhe "armëmbajtje pa leje", si dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Për shtetasin Gjekë Narkaj, kushëri i të dyshuarit si autor i kësaj ngjarjeje, prokuroria ka kërkuar tre vjet burgim për "veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" dhe "moskallëzim krimi". Ndërsa për të ndalurin tjetër, Ilir Therçaj, u kërkua 18 muaj burgim për "armëmbajtje pa leje" dhe "moskallëzim krimi".
Ardjan Narkaj, 41 vjeç, u ndalua nga policia dy ditë pas ngjarjes së ndodhur në Bratosh, rreth orës 23:00 të 7 majit 2008 ku në një prej rrugëve të fshatit Bratosh mbetën të vrarë Ton Ulaj dhe Gjegj Shotaj, si dhe u plagos Ardjan Narkaj.
Sipas hetimeve rezultoi se shkaku i kësaj ngjarjeje ka qenë grindja për motive të dobëta mes dy viktimave dhe të dyshuarit si autor, ku dy viktimat në gjendje të pirë e kanë detyruar t'i dërgonte me makinën e tij ku dëshironin. Në një moment, Ardjan Narkaj nuk ka pranuar të vazhdonte të ishte në shërbim të tyre dhe ka zbritur nga mjeti, ku më pas ka lindur dhe konflikti mes tyre që shkaktoi shkëmbim zjarri mes palëve dhe si pasojë vrasjen e Ukajt e Shotajt e plagosjen e lehtë të Narkajt.