Dëbora bllokon Qafë-Krrabën
01/03/2005 ELBASAN - Rënia e dëborës gjatë ditës së djeshme ka sjellë dhe problemet serioze në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan, pasi deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka qenë e bllokuar zona e Qafë-Krrabës. Pikërisht në këtë aks, shtresa e dëborës, e cila dje kishte arritur në disa dhjetëra centimetra ka sjellë dhe problemet e mëdha në qarkullimin e mjeteve motorike në drejtim të dy qyteteve. Makinat kanë qenë të bllokuara për orë të tëra në këtë aks rrugor, duke pritur që rruga të ribëhej e kalueshme. Ndërkohë, forca të shumta të policisë së të dy qyteteve kanë qenë në rrugën e bllokuar për të patur nën kontroll lëvizjen e makinave, që e kishin të detyruar që të vinin zinxhirët për të kaluar mbi shtresën e trashë të dëborës. Sipas burimeve të gazetës "Metropol", mësohet se deri afër mesnatës është punuar me intensitet për të bërë të mundur hapjen e këtij aksi shumë të rëndësishëm që lidh Tiranën me pjesën juglindore të vendit. Pas Qafë-Kërrabës mësohet se nuk ka patur probleme të tjera për sa i përket bllokimit nga bora. Rrugët që lidhin pjesën tjetër të vendit kanë qenë të lira, duke mos sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve dhe pasagjerëve. Gjatë ditës së djeshme, për shkak të bllokimit të Qafë-Krrabës, mësohet se pjesa më e madhe e makinave kanë lëvizur nga Elbasani drejt Rrogozhinës, Durrësit për të shkuar në drejtim të Tiranës. Bllokimi i rrugës nga dëbora duket se i ka bërë shumë më të kujdesshëm shoferët. Burimet policore kanë të bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, përveç disa përplasjeve të lehta nuk ka patur aksidente rrugore, ku të ketë shtetas të lënduar.