E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shiu shkatërron 80 shtëpi në Godolesh

01/03/2005  Të kërcënuara 300 shtëpi dhe 1600 banorët e fshatit

ELBASAN - Reshjet e shiut kanë shkaktuar jo pak probleme gjatë ditëve të fundit në Elbasan. Ndërsa janë bllokuar akset rrugore për disa kohë, një fshat rrezikohet të zhduket, si pasojë e rrëshqitjeve të dherave dhe erozionit.

Sipas grupit, që ka inspektuar një ditë më parë zonën Godoleshit, vetëm 3 km larg qytetit të Elbasanit, rrëshqitjet kanë kthyer në të pabanueshme rreth 80 shtëpi, ndërsa rrezikohen 300 shtëpi të këtij fshati, të cilat janë në fazën e parë të dëmtimeve. Gjendje alarmante është përcaktuar pas rrëshqitjes nga shirat e rëna ditët e fundit për 1600 banorë, të cilët duhet të shpërngulen për të mos rrezikuar jetën nën çatitë që rrezikojnë të shemben. Lagështira dhe sidomos një erozion i tokës e kanë kthyer zonën e Godoleshit në një rrezik potencial për shmebjen e të gjitha ndërtimeve në të, ndërsa janë dëmtuar nga rrëshqitja rreth 30 ha tokë.

Ankthi i 380 familjeve, që jetojnë në këtë zonë ka bërë që shumica e tyre të jetojnë së bashku në shtëpitë më pak të dëmtuara, ndërsa janë munduar gjatë kësaj kohe të riparojnë diçka nga shtëpitë, duke përdorur ç’të munden.

Ndërkohë një përfaqësi e fshatit është nisur në drejtim të prefekturës së Elbasanit për të kërkuar ndihmë, pasi më shumë se 200 pjesëtarë të familjeve jetojnë te fqinjët e tyre, ndërsa kanë humbur banesat dhe tokën e punueshme.

Pas sinjalit për ndihmë, një grup i emergjencave ka inspektuar zonën. Një ekip nga prefektura e Elbasanit, nga sektori i emergjencave civile, janë nisur një ditë më parë për në fshatin Godolesh. Situata ka goditur mjaft përfaqësuesit e pushtetit lokal, të cilët kanë parë nga afër dëmtimet në banesa dhe rrëshqitjet që ka pësuar toka në një pjesë të mirë të saj e ndikuar nga lagështia.

Sipas drejtuesit të ekipit të emergjencave, Fatos Suvaria, mësohet se për këtë situatë po përgatitet një relacion, që do t’i përcillet Ministrisë së Pushteti Vendor.

“Shpresojmë që të gjejmë sa më parë një destinacion për vendosjen e përkohshme të këtyre banorëve”, është shprehur Suvaria.

Por, megjithë premtimet, akutualisht familjet dhe 1600 banorët jetojnë me frikën e rrëshqitjeve të dheut e humbjen e strehës së tyre.

Sali Cani, kryetari komunës

“Komuna nuk ka mundësi t’i ndihmojë”

Kryetari i komunës, Sali Cani, ka deklaruar se, “komuna nuk ka asnjë mundësi strehimi për familjet e dëmtuara, ndërsa janë marrë masat për të ndihmuar për evakuimin te të afërmit e tyre për familjet e dëmtuara”.

Gjendja është shndërruar në një shqetësim për të gjithë zonën, pasi mund të shemben nga momenti në moment edhe shtëpi të tjera. “Jemi mjaft të shqetësuar për këtë situatë”, është shprehur Cani, i cili ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Pushtetit Vendor për të larguar njerëzit nga banesat gjysmë të dëmtuara.

“Jemi gati që të ndihmojmë për t’i shpërngulur drejt magazinave të rezervave të shtetit” ka thënë kryekomunari, i cili nuk ka marrë miratimin e banorëve, të cilët kanë kërkuaqr para e jo strehim të përkohshëm në magazina.

80 shtëpi

të shembura

300 shtëpi

rrezikojnë të shemben

1600 banorë

pa shtëpi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›