E Hënë, 2 Nëntor 2026

KESH falimenton 700 biznese në Shkodër

01/03/2005  Mbyllja e aktiviteteve private, tendencë në rritje

SHKODËR – Biznesi i vogël, në Shkodër, gjithnjë e më shumë po shkon drejt falimentimit. Këtë e bëjnë të ditur burime nga Bashkia Shkodër, sipas të cilave, numri i madh i falimentimeve të regjistruara vitin e kaluar, po e shpien biznesin e vogël drejt shkatërrimit. Nga përpunimi i të dhënave të vitit 2004, u arrit në përfundimin se janë 700 biznese, që kanë rezultuar të dështuara.

Një shifër e tillë, ka bërë që këshilltarët bashkiakë të mblidhen disa herë për të shqyrtuar këtë gjendje të biznesit të vogël në Shkodër. Analizat e bëra në këshillin bashkiak, i kanë vënë në punë specialistët shkodranë që të evidentojnë edhe arsyet e kësaj situate, që ka ardhur duke precipituar.

Vëzhgimet dhe testimet e kryera prej tyre, kanë nxjerrë në pah se shkaku kryesor i falimentimit të këtyre bizneseve të vogla, ka qenë e shumë përfolura në këtë qytet, mungesa e energjisë elektrike. Vetë pronarët e këtyre bizneseve, vit pas viti, duke qenë konsumatorë dhe pagues të rregullt të energjisë elektrike, kanë kërkuar që të furnizohen rregullisht me këtë energji, ose të paktën në shumicën e kohës që ata ushtronin aktivitetin, pasi nuk kishin mundësi financiare të blinin gjeneratorë apo të përballonin koston e konsumimit të karburantit.

Përveç energjisë elektrike, specialistët kanë paraqitur si shkak të falimentimeve, infrastrukturën e shkatërruar të qytetit e për të vazhduar më tej edhe me konkurrencën e pandershme, që kishte penguar vazhdimisht biznesin e vogël të ecte natyrshëm, në rrjedhën e tij drejt rritjes së vazhdueshme.

Për sa i përket infrastrukturës, në drejtim të saj patën paraqitur ankesa edhe biznesmenë të huaj që vizituan Shkodrën herë pas here, për të parë mundësitë dhe hapësirat që mund të kishin për ushtrimin e aktivitetit të tyre në këtë qytet. Sipas tyre, pa një infrastrukturë të zhvilluar, asnjëherë nuk do të ketë biznes të zhvilluar në këtë qytet, që i ka të gjitha resurset për të afruar pranë tij një numër të konsiderueshëm bisnesmenësh të huaj, që mund të ishin një shembull ndryshimesh të mëdha në Shkodër.

Por, 700 falimentimet e bizneseve të vogla në Shkodër, gjatë vitit të kaluar, janë njëra anë e medaljes, pasi ajo është vetëm shifra zyrtare, që ka dalë mbi bazën e krahasimit dhe diferencës së regjistrimit të bizneseve të vogla nga viti 2004 me vitin 2003. Ana tjetër e medaljes, shprehen specialistët, do të tregonte se kjo shifër është akoma më e madhe, po të bëhej një regjistrim i plotë i të gjitha bizneseve të vogla që kanë falimentuar dhe nuk kanë figuruar asgjëkundi të regjistruara për ushtrim aktiviteti.

Shkaqet e falimentimit të bizneseve

* Mungesa e energjisë elektrike

* Mungesa e infrastrukturës

* Konkurrenca e pandershme

Të dhëna

26 mijë

të papunët në Qark

18 mijë

të papunë në qytet

700 biznese

të mbyllur nga dritat

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›