E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora dhe ngricat, bllokohen 12 autobusë me kosovarë në veri

 Si pasojë e motit të keq, mëngjesin e djeshëm 4 autobusë u bllokuan në Luf të Pukës dhe 8 në Qafë Mali.
Autobusët me pasagjerë kosovarë, emigrantë në Perëndim që kaluan festat në vendlindje
Pukë-Dëbora e rënë së fundi, ngricat dhe akulli në rrugë kanë bllokuar dje 12 autobusë në veriun e vendit. Autobusët, shumica me emigrantë kosovarë, që pas festave, udhëtonin Tiranës e Durrësit, për t'u nisur në vendet e punës, kanë qëndruar në të ftohtë disa orë. Pas ndërhyrjes së policisë, të paraprirë nga makinat e tyre, autobusët janë ndihmuar të lëvizin nga rruga drejt destinacioneve përkatëse. Sipas burimeve policore, 4 autobusë u bllokuan dje në Luf të Pukës dhe 8 në Qafë-Mali.
 
Mëngjesin e djeshëm, si pasojë e ngricave në rrugën nacionale Pukë-Shkodër, janë bllokuar për rreth 1 orë, katër autobusë që vinin nga Kosova, në drejtim të Tiranës e më pas Durrësit. Ka qenë ora 06.50 kur një autobus me 38 nxënës nga Malisheva, i cili nuk kishte zinxhirë është ndaluar, pasi ka devijuar pak nga rruga për shkak të akullit, duke u spostuar në krahun e djathtë të saj, pranë një kanali, por pa pasur ndonjë problem.
"Kjo ka ndodhur në afërsi të ish- minierës së Lufit dhe aty kanë ardhur shërbimet e policisë rrugore"- thonë burimet. Më pas nga policia janë ndaluar dhe tre autobusë të tjerë. Ata, kishin më së shumti pasagjerë, emigrantë kosovarë në perëndim dhe që kishin qenë për festa në vendlindje dhe nuk ishin të pajisur me zinxhirë. Bllokimi i tyre është bërë nga policia rrugore, e cila duke parë rrugën e ngrirë nuk ka lejuar kalimin e tyre drejt Vaut të Dejës, pa u siguruar zinxhirët dhe hedhja e skorjeve e kripës në rrugë. Që nga fillimi i këtij viti ku pati shumë reshje dëbore në këto zona, automjetet që vijnë nga Kosova nuk kalojnë në Tiranë përmes Mirditë por nga Puka e më pas Vau i Dejës. Menjëherë janë angazhuar forcat e mjetet e firmës që është mirëmbajtëse e këtij aksi rrugor dhe të ndërmarrjes së rrugëve rurale, të cilat kanë hedhur skorje e kripë dhe më pas autobusëtkanë vazhduar normalisht kalimin drejt Vaut të Dejës. Ato janë shoqëruar nga polica rrugore e Pukës deri në kufirin e këtij rrethi me Shkodrën e që andej shoqërimi i tyre ka vazhduar nga policia rrugore e Shkodrës.
 
Të njëjtin fat kanë pësuar në mesditë edhe 8 autobusë me pasagjerë nga Kosova, kryesisht emigrantë që po udhëtonin në aksin rrugor Morin(Dogana)-Kukës-Fushë-Arrës. Një trailer ka bllokuar rrugën duke bërë që autobusët me pasagjerë nga Kosova të bllokohen në Qafë-Mali. Shkak është bërë një përplasje e lehtë mes dy mjetesh, që shkaktoi bllokimin e rrugës, ndërkohë që më pas bllokimet u bënë për shkak të mungesës së zinxhirëve. Autobusët me kosovarë u bllokuan rreth orës 13.30. Në këtë aks ka mjaft mjegull dhe policia nuk lejon kalimin e mjeteve pa zinxhirë dhe pa drita të verdha. Ky aks rrugor nacional ka lëvizje në këtë periudhë pasi qarkullojnë jo vetëm mjetet që hyjnë në Shqipëri nga Kosova, por dhe autobusët me emigrantë kosovarë. Itinerari i tyre kalon nga Morina në Qafë Mali-Fushë Arrës- Pukë-Vau Dejës e më pas përmes autostradës Shkodër-Tiranë.
 
Intervista
Flet një nga drejtuesit e autobusëve të bllokuar në Qafë Mali
"Bllokimi, pasi automjetet nuk kishin zinxhirë"
Në autobusët e bllokuar ka pasur familjarë, studentë dhe fëmijë. Të gjithë emigrantë kosovarë në Perëndim.
Përse jeni bllokuar në Qafë Mali?
Bllokimi në fillim ndodhi se një autobus me targë Kukësi ishte ndeshur me një veturë me targë të Kosovës dhe ishte bllokuar rruga, e cila është njëkalimshe dhe ecet me vështirësi.
Sa autobusë kanë qenë?
Nuk di të them, kanë qenë disa, pasi jemi nisur në kohë të ndryshme. Aty ku jemi ndaluar janë grumbulluar disa autobusë dhe mjete të tjera.
Përveç bllokimit të rrugës nga aksidenti a ka pasur arsye të tjera të qëndrimit?
Disa nga mjetet nuk kanë pasur zinxhirë, pasi janë nisur nga Kosova me kohë të mirë. Dhe unë nuk i kisha vënë zinxhirët, pasi nuk e pashë të nevojshme dhe pse i kam me vete. Policia ka ndaluar kalimin pa zinxhirë kështu që na është dashur t'i vëmë, kuptohet ato që i kanë pasur me vete.
Sa kohë keni qëndruar të bllokuar?
Koha e qëndrimit ka qenë e ndryshme, pasi siç e thashë nuk kemi ardhur të gjithë njëherësh. Për të vënë zinxhirët duhen rreth 50 minuta, ndërsa lirimi i rrugës nga aksidenti është bërë pas 40 minutash.
Si e shikoni këtë rrugë, a është ajo e përshtatshme për qarkullim?
Kjo rrugë paraqitet problematike çdo dimër. Është rrugë malore e rrezikshme. Unë kamvite që qarkulloj dhe këtë vit po kalojmë nga Puka dhe Shkodra duke shmangur disa pjesë të rrezikshme në Mirditë dhe pse këtej është distanca më e largët. Shpresojmë që shteti shqiptar të bëjë diçka për të na mundësuar një lëvizje më të sigurt drejt Evropës nga Shqipëria.
 
Policia e Pukës
Shmangni rrugën natën dhe pa zinxhirë
Sipas drejtuesve të qarkullimit rrugor në Pukë, të gjithë mjeteve u është kërkuar vënia e zinxhirëve duke mos lejuar qarkullimin e tyre pa to. Madje, ata kanë apeluar për të shmangur lëvizjen natën. Avdi Halucaj, shef i qarkullimit rrugor të Pukës shprehet se disa nga autobusët e bllokuar në Qafë Mali nuk kanë pasur zinxhirë as me vete. Në këto kushte është krijuar një autokolonë e shoqëruar me furgonë policie, ku autobusi i parë dhe ai i fundit kanë pasur zinxhirë, ndërsa ato pa zinxhirë kanë qëndruar në mes. Pjesa më e vështirë e rrugës është aksi Qafë Mali-Shën Mëri. Gjashtë autobusët pa zinxhirë janë alternuar me mjete policie për të siguruar qarkullimin e tyre, deri në Vaun e Dejës, ku rruga nuk ka më probleme. Janë nisur dy autokolona, ndërsa Halucaj shton se janë bllokuar dhe nuk lejohet të qarkullojnë automjete pa zinxhirë. Në Qafë Mali janë bllokuar dy kamionë të ngarkuar me çimento. "Gjatë natës, ku ulen dhe më shumë temperaturatnuk do lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë"- shton Halucaj.
 
Komunarët kërkojnë shtyrjen e shkollës, shtimin e ndihmës ekonomike dhe hapjen e rrugëve
Vendorët në Kukës: Zhurma e helikopterëve, show politik
Kukës-Hapje e menjëhershme e rrugëve, riparim i defekteve elektrike, shtim fondesh për ndihmën ekonomike dhe shtyrje e shkollës për një javë. Këto kanë qenë kërkesat e vendorëve dje në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile në Kukës, të cilët e kanë quajtur zhurmën e helikopterëve një show politik. Moti i keq, i shoqëruar me borë, ngrica dhe temperatura të ulëta, që shkojnë deri në 15 gradë nën zero ka përfshirë prej pesë ditësh verilindjen dhe veriun e vendit, dukekrijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në akset rrugore nacionale dhe në ato rurale. Pas situatës së krijuar, mesditën e djeshme u mblodh Shtabi i Emergjencave Civile, ku morën pjesë edhe deputetët e Tropojës e Kukësit Aleksandër Biberaj e Fatos Hoxha. Deputeti Biberaj, nuk e ka konsideruar situatën emergjente, por e ka vlerësuar atë si një situatë dimri të zakonshme. Por ai u ka tërhequrvërejtjen strukturave shtetërore në bazë për mos angazhim për të qenë në shërbim të popullatës. Drejtuesit e pushtetit vendor kanë paraqitur para përfaqësuesve të legjislativit, situatën që mbizotëron në komunat dhe bashkitë e tyre, pas borës së 1 janarit dhe ngricave që e pasuan atë. Kryetari i bashkisë së Krumës, Bardhyl Peka ka bërë të ditur se disa fshatra prej disa ditësh janë pa energji elektrike, ndërkohë që fshatrat Cahan e Mujaj vazhdojnë të jenë të izoluar nga bora. "Nuk kemi nevojë për ushqime përmes helikopterëve, pasi popullsia e kësaj zone i ka marrë të gjitha, masat, por emergjente është hapja e rrugëve"- tha kreu i komunës së Bushtricës.Sipas tij, në fshatin Vilë nuk mund të fillojë mësimi me 7 janar, për mungesë të kushteve. Kryetari i komunës së Golajve në rrethin e Hasit, Adem Lala e ka konsideruar si një "shoë politik" zhurmën e helikopterëve dhe ka kërkuar që të mos shpenzohen fonde me helikopterë, por në këtë situatë të shtohet ndihma ekonomike.
 
Tropoja
Rrugët në Valbonë e Lekbibaj, të bllokuara
Përgjegjësi i ndërmarrjes së Rrugëve rurale të Tropojës ka deklaruar se situata në Tropojë nuk mund të quhet emergjente, por megjithatë rrugët që të çojnë për në fshatin Valbonë dhe në komunën e Bytyçit vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara nga akulli e ngricat. Ai ka thënë se mungojnë fondet për mirëmbajtje. Shtabi i Emergjencës ka vlerësuar ndërmarrjen e rrugëve të Kukësit, e cila ka mbajtur në gatishmëri aksin rrugor Morin(Dogana)-Kukes-Qafë-Shllak që e ka nën juridiksion. Por sipas drejtorit të kësajndërmarrje Rushit Gashi, e gjithë kjo situatë po përballohet vetëm me pesë punëtorë që ka kjo ndërmarrje, pasi pjesa tjetër e punëtorëve eshtë shkurtuar. Krahas vlerësimeve për mirëmbajtjen e rrugës nga Morini deri në Qafë-Shllak, mjaft ankesa janë paraqitur për mirëmbajtjen e segmenteve Qafë-Shllak-Fushë-Arrës-Mjedë dhe Qafë-Shllak-Fushë-Arrës-Rrëshen. Në këto dy akse rrugore qarkullimi është veçse një aventurë, pasi mungon kripa dhe skoriet, ndërkohë që traseja e rrugës është e mbuluar nga bora dhe akulli.
 
Fshatrat e thellë, të izoluar. Sipas shtabit të emergjencave, segmentet nacionale, të kalueshme me zinxhirë
Korçë, bllokohen zonat turistike
Korcë- I ftohti dhe dëbora ka pushtuar 24 orët e fundit qarkun e juglindjes. Pas ditëve plot ngrica, dëbora ka qenë mysafirja që ka sjellë dhe probleme serioze në qarkun e Korçës. Kështu dy zona turistike, ajo e Voskopojës dhe Dardhës janë gati të bllokuara. Segmenti Korçë-Voskopojë është i kalueshëm vetëm me zinxhirë, ndërsa në disa kilometra të saj, trashësia e dëborës është shumë e madhe deri në 30 cm, duke e kthyer në një mision të rrezikshëm udhëtimin në këtë rrugë. Ndërkaq segmenti tjetër Korçë-Dardhë ka qenë tërësisht i bllokuar me disa fshatra të bllokuara. Rreth 300 banorë të kësaj zonë të fshatrave Dardhë, Arzë, Sinicë etj., janë të izoluar nga dëbora, ndonëse për fat të mirë nuk janë shfaqur probleme që lidhen me shëndetin e tyre apo me furnizimin me ushqime dhe energji elektrike. Xh. Baka
Pogradec, bllokohet Grabovica dhe Qafë Plloça
Pogradec-Probleme ka shkaktuar dëbora e rënë gjatë natës së të premtes edhe në zonën e Pogradecit. Dje për pak kohë ka qenë e bllokuar rruga nacionale në Qafën e Grabovicës dhe Qafë-Plloçë. Sipas specialistëve të rrugëve, dëbora shoqëruar me erë të fortë ka shkaktuar bllokimin e përkohshëm të qafave. Punonjësit e ndërmarrjes së rruga-ura, kryesuar nga drejtori rajonal Kreshnik Zgjani, kanë qenë që në orën tre të mëngjesit duke hapur rrugën me makinat borëpastruese dhe duke kripur rrugën. Ndërkohë policia e qarkullimit rrugor ka përforcuar shërbimet, duke këshilluar kalimin me zinxhirë. "Reshje të shumta dëbore kanë rënë në zonën e Mokrës, por situatën e kemi nën kontroll"- thotë kryetari i komunës së Proptishtit, Shaban Sula. B.Berberi
Komunat e bllokuara
Aren
Zapod
Kalis
Caj
Fshati Cahan
Lekbibaj
Valbonë
Selca
Lëpusha
Vermoshi
Kalohen me zinxhirë
Akset Qafë Mali- Fierzë
Qafë Mali- FushëArrës
Pukë-Iballë
Pukë- Fushë Arrës
Qafë Qelë- Pukë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›