Kapshticë, emigrantët 5 orë në radhë
Shkak, puna e ngadaltë e palës greke dhe numri i reduktuar i punonjësve për shkak të festave
Kapshticë- Rikthehen radhët e gjata në pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Mbi 300 udhëtarë shqiptarë kanë pritur më shumë se 5 orë në temperatura tejet të ulëta disa gradë nën zero, në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Radha e gjatë e makinave dhe autobuzëve në pikën shqiptare dhe më pas në kufirin e gjelbër në pritje për të hyrë në Greqi ka qenë e gjatë, ndërsa gjatë të shtunës mbi 100 automjete, 10 autobusë tëlinjave të përditshme me shtetin grek, madje dhe këmbësorë kanë pritur gjatë në doganë. Vonesa ka ardhur edhe njëherë nga pala greke, e cila ka punuar gjatë kësaj fundjave me personel të reduktuar për shkak të pushimeve dimërore dhe me vetëm dy sportele. Kështu numri i automjeteve ka mbetur gati i pandryshuar në pritje për të hyrë në shtetin fqinj, ndërsa në anën shqiptare të kësaj pike kalimi kanë qenë në punë 4 sportele. Komandanti i kësaj pike kalimi, Qamil Shkaba, i ardhur në këtë detyrë vetëm një ditë më parë, duke zëvendësuar Dritan Shemën, ka deklaruar për gazetën se fluksi i emigrantëve shqiptarë nuk ka rënë ende, ndërkohë që problemi sipas tij qëndron tek përpunimi i ngadalshëm i të dhënave të homologëve greke. "Pala greke është duke punuar me personel të reduktuar"- thotë ai. Duke u nisur nga situata më e fundit në kufi, ku dhe sasia e reshjeve të dëborës kalon të 30 cm, komandanti Shkaba ka marrë një takim me kolegët greke në Kapshticë, duke parashtruar shqetësimin e tyre lidhur me pritjen e gjatë në radhë të emigrantëve mes të cilëve shumë fëmijë, të moshuar etj,. Pas kësaj pala greke pas ndërrimit të turneve, në orën 14.00, sipas orës së saj lokale e ka çuar në tre numrin e sporteleve duke përshpejtuar disi dhe ritmin e përpunimit të të dhënave të të gjithë udhëtarëve shqiptarë të ardhur për festat e fundvitit në Shqipëri. Nga ora 01.00 e mëngjesit të së shtunës, deri në orën 16.00 nëpërmjet Kapshticës kanë dalë nga Shqipëria 3500 shtetas shqiptarë me banim në Greqi, me 600 automjete dhe 15 autobusë të linjave të ndryshme me shtetin fqinj.