E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora mban ende të bllokuar Thethin

Në një kohë kur ka filluar sezoni i plazhit dhe në televizionet më prestigjioze në botë reklamohet turizmi veror i Shqipërisë, një nga zonat turistike malore më të njohura në vend nuk mund të vizitohet nga turistët, për shkak të dëborës që ka bllokuar rrugët. Bëhet fjalë për zonën turistike të Thethit, që është dhe fshati më i thellë i Dukagjinit, ku aktualisht turistët e huaj që e preferojnë mjaft këtë zonë janë të detyruar të kthehen mbrapsht. Kjo situatë është krijuar, pasi rruga ka nisur të hapet me vonesë dhe me mjete jo fort të përshtatshme për të tilla situata. Banorëve të Thethit u duhet të ecin 4-5 orë në këmbë për të shkuar në fshatin më të afërt. Jemi mësuar të shohim e dëgjojmë për zona të thella malore që bllokohen në muajt e ftohtë të dimrit nga dëbora, por në Shqipëri ndodh që të qëndrosh i bllokuar nga dëbora e dimrit edhe në verë. Rruga nacionale që lidh zonën turistike të Thethit në Dukagjin me Malësinë e Madhe dhe Shkodrën është e bllokuar që nga muaji nëntor i vitit 2007. Kjo rrugë asnjëherë nuk është hapur gjatë gjithë sezonit dimëror dhe ka bërë që bora të zërë borën, duke arritur një trashësi prej katër metrash. Sot temperaturat e ajrit në Theth shkojnë deri në 15 gradë Celsius, por rruga qëndron e bllokuar nga dëbora. Në fillim të rrugës gjithçka duket normale, madje optimiste, pasi në fillimet e saj sapo lë qytetin e Koplikut dhe futesh në fshatin Xhai rruga ka nisur të asfaltohet. Pasi kalon disa male, përpara të shfaqet dëbora që ka mbuluar majat e maleve dhe rruga sapo i afrohesh Qafës së Thores është e pakalueshme. Në vendet ku fadroma ka nisur të hapë rrugën në dy krahët e saj është krijuar një mur i lartë dëbore, që ngjason me hyrjen e një tuneli dëbore, si në zonat polare. Në këtë situatë, kur dëbora ka bllokuar rrugën për në zonën turistike të Thethit, shumë turistë të huaj janë detyruar të kthehen nga kanë ardhur, pasi nuk kanë mundur të vazhdojnë rrugën. Ka pasur edhe nga ata turistë aventurierë, të cilët kanë rrezikuar duke vazhduar rrugën në këmbë.

Duke shkuar për në Theth takon mjaft udhëtarë nga Dukagjini, të cilët kanë ecur 4-5 orë në këmbë në borë dhe shprehen të shqetësuar për rrugën e bllokuar, por më tepër për faktin që turistët po kthehen mbrapsht. Njëri nga këta udhëtarë, Ndue Gjonaj, thotë se "nuk ma merr mendja se në ndonjë vend të Evropës ka rrugë nacionale të bllokuara nga dëbora, përveçse në Shqipëri. Nuk është e falshme për asnjë qeveri, që për neglizhencë të mbajë të bllokuar jo vetëm banorët, por edhe zonën turistike. Jemi dëmtuar shumë nga rruga e bllokuar, pasi turistët e huaj që tashmë janë bërë vizitorë të rregullt të Thethit po detyrohen të kthehen mbrapsht, pasi nuk ka rrugë. Ne jemi të detyruar të ecim në këmbë 4-5 orë për të arritur rrugën e makinave".

Ndërmarrja Rruga Ura ka nisur me shumë vonesë të hapë rrugën dhe me mjetet që po përdor do të vonojë shumë, pasi ato duhet të jenë me zinxhirë. Një fadromë e Ndërmarrjes Rruga Ura po punon prej 10 ditësh për hapjen e rrugës, por janë rreth 20 km të mbuluara nga dëbora, që në disa vende arrijnë në mbi 5 metra trashësi. Një mjet i tillë pa zinxhirë duket se do ta ketë tepër të vështirë, ndërkohë që turistët vazhdojnë të kthehen, pasi nuk mund të kalojnë nga dëbora. Ky segment rrugor, që ndodhet në lartësinë 1800 metra mbi nivelin e detit, bllokohet çdo vit nga dëbora dhe banorët e zonës janë të izoluar gjatë gjithë dimrit.

Thethi

Çdo vit shkojnë

tremijë turistë të huaj

Zona e Thethit është shpallur Park Kombëtar në vitin 1966. Për peizazhet që ofron dhe ajrin e pastër, kjo zonë është mjaft e frekuentuar nga turistë vendas dhe të huaj. Vitin që shkoi, në Theth kanë pushuar mbi 3 mijë turistë të huaj, kryesisht nga Gjermania, Çekia, Anglia dhe Italia. Zona turistike e Thethit dallohet për diversitet të lartë habitatesh, për pyjet e ahut, pishës, bredhit, livadhet alpine, bjeshkët, lumenjtë, burimet e shumta ujore e përrenjtë, si dhe dallohet për pasurinë e botës shtazore, ku dallohen gjitarë të mëdhenj të mbrojtur si ariu, ujku, dhia e egër, derri i egër, kaprolli etj. Të gjithë këta elementë së bashku e bëjnë zonën e Thethit një perlë të turizmit alpin në Shqipëri. Gjatë dimrit këtu mund të ushtrohet sporti i skive, ndërsa verës turizmi malor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›