Kontrabanda e viçave, nga Vojvodina në Tiranë
Një tufë prej 10 viçash u sekuestrua nga policia e kufirit të Kukësit dje në orët e para të mëngjesit në bjeshkët e Koritnikut mes Kosovës dhe Shqipërisë. Tufa e viçave u gjet në vendin e quajtur Qaramari, në bjeshkën e fshatrave Përbreg dhe Bardhoc, kur sapo kishte kaluar kufirin mes dy vendeve. Siç bëjnë të ditur burimet e policisë së Qarkut të Kukësit, kafshët u çuan në komisariatin e policisë, ku do të pritet deri të hënën nëse u del njeri për zot. Në të kundërt, viçat do të shiten në ankand siç bëhet zakonisht. Burimi i cituar tha gjithashtu se policia e kufirit në bjeshkë ishte vënë në kërkim të personave që sillnin viçat nga Kosova, por ata kishin mundur të fshiheshin në pyllin e dendur. Mësohet gjithashtu se tregtia e viçave kontrabandë luhet nga disa banorë të zonës që prej 10 vjetësh jo vetëm në bjeshkët e Kukësit, por edhe në Has dhe Tropojë. Policia lokale vetëm brenda një viti ka bllokuar të paktën rreth 30 tufa me viça që mendohet se mund të jenë një përqindje tepër e papërfillshme në krahasim me numrin e viçave të depërtuar nëpërmjet kufirit të gjelbër. Vetëm nga tregu i Kukësit çdo muaj ngarkohen mesatarisht dy apo tre maune me viça që furnizojnë tregun e Tiranës me gjoja "mish nga bjeshkët e Kukësit dhe Hasit". Në të vërtetë, kurrë Kukësi nuk ka pasur aq shumë blegtori sa të mbajë Tiranën me mish. Banorët e zonës tregojnë se edhe Kosova nuk ka aq shumë viça sa mendohet, por shumica e viçave sillen nga Vojvodina, gjithashtu kontrabandë. Viçat e Vojvodinës, të rritur në kushte stallore, peshojnë deri 400 kg dhe blihen në vendin e origjinës me më pak se 1 euro për kg, ndërsa shiten në Tiranë me një çmim deri në 5 euro.