E Diel, 1 Nëntor 2026

Guroret shkatërrojnë banesat, por nuk preken se janë me leje

Të paktën 200 banesa janë dëmtuar nga shpërthimet e guroreve në fshatin Progër të Korçës. Banorët e këtij fshati kanë vënë alarmin për shkatërrimin dhe dëmtimin në banesat e tyre, për shkak të aktivitetit privat të disa guroreve që gjenden jo më larg se 50 metra nga banesat. Sipas fshatarëve, shpërthimet e kryera po rrënojnë shtëpitë, por edhe pse kanë qenë të shpeshta ankesat në komunë, nuk ka pasur asnjë reagim.

Banorët e Progrit tregojnë se shpërthimet, kryesisht gjatë natës, kanë shkaktuar plasaritje të mureve, por edhe shembje të pjesshme të shtëpive të vjetra. Janë katër gurore të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në afërsi të shtëpive të fshatit Progër. Siç mësohet nga të dhënat zyrtare, të gjitha ushtrojnë aktivitet të ligjshëm, edhe pse janë të pozicionuara shumë afër shtëpive. Pandeli Sota, një nga banorët, thotë se një pjesë e mureve të shtëpisë së tij janë çarë si pasojë e shpërthimeve pa kriter, por alarmi i vënë nga banorët, sipas tij, ka rënë në veshë të shurdhër, pasi deri më tani nuk janë marrë masa për reduktimin e aktivitetit të tyre në fshat dhe të shpërthimeve të shpeshta.

Sipas tij, në gurore punohet me dinamit dhe mina, ndërsa lëndët shpërthyese, për shkak të forcës, jo vetëm kanë dëmtuar një pjesë të madhe të banesave, por shpesh çojnë edhe në rrëzimin e gurëve drejt shtëpive të fshatit. Banorët thonë se krahas shpërthimeve problematik është edhe pluhuri i madh që ngrihet gjatë aktivitetit të guroreve. Ndërsa shtëpitë mbulohen nga pluhuri, ata ankohen se pasojat kryesore janë mbi shëndetin, pasi ata jetojnë në një zonë të ndotur dhe kryesisht të moshuarit dhe fëmijët kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes.

Ndërsa nga ana e banorëve vijnë ankesa të shumta për dëmtime në të paktën 200 banesa, sipas drejtorit të zyrës rajonale të mjedisit në Korçë, Paqësor Cane, pranë kësaj drejtorie nuk është paraqitur asnjë informacion mbi situatën apo ankesë nga ana e Komunës Progër, por ka konfirmuar se të gjitha guroret ushtrojnë aktivitet të ligjshëm dhe janë të pajisura me leje mjedisore e me licenca. Sipas tij, vetëm një furrë gëlqereje, që është në këtë fshat, është mbyllur pak kohë më parë, pasi nuk kishte dokumente të rregulla dhe leje. Nga ana tjetër, Cane ka deklaruar se do të kryhen nga ana e specialistëve verifikime në vend për të parë edhe shkallën e dëmtimeve dhe nivelin e ndotjes që shkaktojnë këto aktivitete private të inerteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›