E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora, përmirësim i situatës në veri dhe verilindje

Është përmirësuar situata e motit në veri, verilindje dhe juglindje të vendit. Ndërprerja e reshjeve të dëborës dhe ngritja e temperaturave ka hapur akset e bllokuara nga dëbora, si dhe rrugët rurale që lidhin komunat dhe fshatrat më njëra-tjetrën. Megjithatë, situata më problematike vazhdon të jetë ende në rrethin e Bulqizës. Pavarësisht temperaturave, ngricat dominojnë kudo, ndërsa në komunat dhe fshatrat e thella malore ku trashësia e borës e ka kaluar 3 metrat e kanë sërish të pamundur të dalin nga ngujimi. Kryekomunari i Ostrenit ka bërë sërish apel se mungojnë rezvertat ushqimore për rreth 4 mijë banorë të zonës. Në të njëjtat kushte ndodhet edhe komuna e Trebishtit, Tërnova e madhe dhe Tërnova e Vogël, pasi edhe në dyqane kanë mbaruar prej disa ditësh mallrat, kryesisht ato ushqimore. Probleme ka edhe në fshatrat e Martaneshit, në Fushë Bulqizë, pasi lartësia e borës arrin deri në rreth 2 metra. Babe e bir në Fushë Bulqizë vijojn të jenë të bllokuar prej 6 ditësh, konkretisht në Malin e Bardhe, si pasojë e dëborës. Në Dibër situata është më ndryshe. Në disa prej komunave të izoluara prej disa javësh janë hapur rrugët, ndërsa qe prej ditës së djeshme kanë nisur të shpërndahen ndihma ushqimore për banorët dhe për bagëtitë e tyre. Komunat Luzni, Muhur, Zalldardha, Kalaja e Dodës, Sllovë, Rec janë ende në pritje të ndihmave ushqimore, sipas kërkesave që i kanë paaraqitur shtabit të emergjencave në Dibër. Ngricat kanë bllokuar tubacionet e ujit të pijshëm, por edhe energjia eletrike në disa zona të thella vijon të mungojë. Shkollat pritet të hapen ditën e hënë, pasi rrugët kryesore janë celur. Në qarkun e Shkodër reshjet janë ndërprerë, por vazhdojnë të jenë të bllokuara disa fshatra të komunës Kelmend në Malësi të Madhe, si Vermosh, Nikç dhe Selcë. Në Dukagjin komuna Shllak dhe Shosh dhe në Pukë komuna Iballë, Gjejgan, Blerim Qafë Mali janë të izoluara. Megjithatë po punohet për hapjen e rrugëve te trageteve Fierzë-Koman. Edhe në Tropojë situata është përmirësuar ndjeshëm. Temperaturat janë ngritur dhe janë hapur rrugët për qarkullim. Megjithatë, ushqimet e transportuara përmes trageteve janë bllokuara, pasi ngricat në liqen nuk e kanë lejuar atë të lëvizë drejt destinacionit. Në qarkun e Korces termperaturat vijojnë të jenë të ulëta, po punohet për hapjen e rrugëve. Të gjitha akset nacionale kalohen pa vështirësi, ndërsa në këto dy ditë në zonën e Mokrës janë transportuar 7 gra shtatzëna drejtë spitalit të Pogradecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›