BE: Kriza të zgjidhet shpejt, ndryshe vononi vizat dhe statusin kandidat
Intervista
Ambasadori spanjoll në Tiranë, Manuel Montobio, tregon afatet
Bashkimi Europian i kërkon dy krerëve kryesorë të politikës shqiptare se do të duhet të zgjidhin krizën deri më 11 mars, në rast të kundërt, vendi ynë do të vonohet për liberalizimin e vizave dhe statusin kandidat në Bashkimin Europian. Me gojën e ambasadorit të Spanjës në Tiranë, Manuel Montobio, vendi i të cilit mban Presidencën e radhës së BE-së, bëhet e qartë se tryeza nuk duhet të zgjatet, por ta mbyllë sa më shpejt ngërçin e krijuar. Në një intervistë për televizionin “Neës 24”, ambasadori Montiobio thekson se tryeza ishte një hap i mirë, por duhet një marrëveshje përfundimtare...
Zoti ambasador, dy krerët e politikës shqiptare janë ulur në një tryezë te Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Si e shihni këtë hap dhe a besoni në zgjidhjen e krizës politike?
Unë mendoj se ky është një hap shumë i rëndësishëm përpara. Një proverb kinez thotë se me një hap mund të nisesh në një rrugë prej 3 mijë miljesh. Shpresoj se ky hap është i pari në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo është një sfidë, ndaj nuk mund të jetë vetëm një hap. Kjo është një rrugë që duhet të vazhdojë. Ka elemente shumë pozitive që Bashkimi Europian i ka inkurajuar. Dialogu si një mjet politik mes liderëve, gjest normal në demokraci janë përpjekjet për të zgjidhur problemet e vendit brenda kuadrit institucional dhe kushtetues. Ndaj ne inkurajojmë këtë nismë të Presidentit Topi dhe e nxisim atë të vazhdojë rolin e tij negociues. Ne e vlerësojmë shumë qëndrimin e tij konstruktiv dhe përgjegjësinë në këtë moment historik për vendin që Kryeministri dhe lideri i opozitës, nën drejtimin e Presidentit, treguan. Klima është shumë e rëndësishme, pasi demokracia nuk është vetëm çështje përmbajtjeje, ajo është dhe çështje shpirti. është e rëndësishme të krijohet kjo klimë. Ne duhet të transformojmë këtë mënyrë të të bërit të gjërave në demokraci, që është dialogu, i cilin çon në zgjidhje konkrete që përshtaten sipas procedurave për integrimin e opozitës në Parlament. Kemi thënë gjithnjë se bojkoti nuk është mënyra për të mbrojtur pozicionin, por në të njëjtën kohë kërkohet një zgjidhje thelbësore për ato çështje që janë shtruar në tryezë. Këto janë shumë të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE.
Po koha, zoti ambasador, a është e rëndësishme në arritjen e një zgjidhjeje?
është shumë e rëndësishme se po vjen një moment kyç për proceset e integrimit. Kemi disa afate përfundimtare për disa procese që vazhdojnë dhe nuk mund të injorohen. Ka një kalendar politik dhe një kuadër institucional, kemi një sërë marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe komunitetit ndërkombëtar dhe Bashkimit Europian në veçanti. Duke thënë këtë, i rëndësishëm është procesi i stabilizim-asocimit, procesi i përmbushjes së kritereve të Komisionit Europian deri më 10 maj. Këshilli i Asocim-Stabilizimit do të mblidhet dhe do të vendosë sesi do të jenë marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian për vitin e ardhshëm. Do të procedohet gjithashtu më 11 mars, ku vjen në Tiranë delegacioni i Komisionit që do të vendosë përgatitjet për mbledhjen e 10 majit në Bruksel. Pra kemi këto procese, kemi edhe përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave, që është një proces shumë i rëndësishëm për qytetarët shqiptarë, por kemi edhe çështjen e statusit kandidat, çështje që duhet të vlerësohet dhe kërkon një përgjigje nga Bashkimi Europian. Tre procese në të ardhmen e afërt bëjnë vlerësime të rëndësishme, që ka lidhje me këtë proces që nisi sot. Së shpejti do të vijë një delegacion i Komisionit Europian, por do të jetë shumë pozitive që ky delegacion do të vijë për të verifikuar avancimet pozitive substanciale dhe për të parë nëse ka apo s’ka një vazhdimësi të situatës që është ende në qendër të vëmendjes së Asamblesë së Këshillit të Europës. Do të jetë shumë mirë që kjo thirrje të avancohet pozitivisht. Në çdo rast, afati kushtetues më 6 mars duhet zbatuar nga opozita. Ne do të donim që kjo situatë të kapërcehet në mënyrë që kur afati të vijë, të ketë avancim dhe të kemi deputetët në Parlament. Ne do të dëshironim që kur këshilli të mblidhet, të përgëzojmë liderët shqiptarë që e kaluan këtë situatë dhe që lanë pas diferencat për realizimin e reformave për avancimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.
#