E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rajhu i III dhe Gestapo

28/01/2005  

Të mos preken hebrejtë e Shqipërisë

Kur nazistët i kërkuan listat e hebrejve më 1943, qeveria shqiptare kundërshtoi

t'i dorëzonte ato. Si përgjigje ndaj kësaj, populli shqiptar, musliman apo kristian pa dallim, iu dha strehe, bukë e mbrojtje dhe bëri që asnjë prej tyre të mos bëhej pre e Holokaustit.

Që nga koha e mbretërisë, në Arkivin e Shtetit shqiptar ka dokumente që dëshmojnë se në Shqipëri hebrejtë konsiderohen çështje e brendshme, që hë për hë të mos prekeshin. Kjo është regjistruar si një bisedë, pjesë e ngociatave ndërmjet Rajhut të 3-të dhe Gestapos, një dokument i dhuruar nga Centro di Dovumentazione Ebraica Conteporanca.

“Që fati i hebrejve në Shqipëri u bë çështje negociatash midis Ribbentropp-it dhe Gestapo-s (Geheime Staatspolizei, policia sekrete e shtetit), kjo tashmë është një gjë e provuar. Nëse rolin më të rëndësishëm e luajti Neubauer apo qeveria e Mehdi Frashërit, kjo meriton të diskutohet, sidomos duke u njohur me dokumentin “Shënime rreth takimit të datës 17 tetor 1943 ndërmjet Eberhard von Thadden, përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Reich-ut të 3-të (Reich III) - seksioni II-A i “Inland II” - dhe shefit të Gestapo-s Heinrich Müller”. Dokumenti është pranuar në arkiv më 22 tetor 1943. Ruhet në fondin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Eshtë botuar i plotë në gjermanisht si protokoll i përbashkët i dy institucioneve në “United Restitution Organisation”, Judenverfolgen in Italien den italienisch besetzten Gebieten und Nordafrika, Frankfurt am Main, 1962, p. 195-196. Në të njëjtat bisedime midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Reich-ut nazist dhe Gestapo-s është diskutuar për qendrimin që duhej të mbanin autoritetet ushtarake dhe civile pushtuese ndaj hebrejve në Shqipëri, në Kroaci, në pjesën greke të kontrolluar nga ushtria naziste, në pjesën franceze ku gjithashtu kjo ushtri ka zënë vendin e asaj fashiste dhe në vende të tjera. Palët pajtohen që në të gjitha territoret e sipërpërmendura të zbatohet, me shkallë të përafërt intensiteti, doktrina hitleriane “final solution” - shfarosja përfundimtare, përveç Shqipërisë, ku, siç përfundojnë bashkëbiseduesit, kjo doktrinë nuk mund të zbatohet”, ka tërhequr vëmendjen drejtori i Arkivit të Shtetit, Shaban Sinani duke dalluar thelbin e kësaj marrëveshje jo të zakontë.

Porse Mbretërisa shqiptare nuk pranoi të dorëzonte hebrejtë as në duar të nazistëve duke lëshuar një vendim nga zyrat politike mbretërore për të pajisur të gjithë hebrejtë me leje banimi të rregullt. Konkretisht ministria e Punëve të Brendshme të Mbretërisë shqiptare i drejtohet prefekturës së Durrësit duke i bërë të ditur një vendim pak të athët për hebrejtë me shtetësi të huaj por duke lejuar që “me banue çifutët aty ku kanë banue deri tash”.

“Pëlqehet masa e marrun nga legjioni i KK.MM simbas shkresës nr. 3 datë 20.9. 1940 kundrejt çifutëve të përmundur... Pra, tue marrë prasysh, mbi të gjitha gjendjen e luftës në të cilën jetojmë ma tepër se kurrë shifet nevojë që tash të merren masa kundrejt të këtillë personave; prandaj na njoftoni nëse janë nxjerrë jashtë kufirit të mbretërisë çifutët me shtetësi të shteteve fqinjë dhe nëse janë dërgue ndër fusha përqëndrimi ata të shtetësive të tjera

Për ata që mund të lejohen me banue aty ku kanë banue deri tash, të cilët duhet të pajisen me leje banimi të rregullt, si p.sh ata që përmenden në paragrafin e fundit të shkresës nr. 3/73 datë 20/IX/ 1940...”, thuhet në një dokument që Arkivi i Shtetit ia ka dhuruar Qendrës së Traumës dhe Rehabilitimit me rastin e ditës së kujtesës.

Sipas drejtorit të Arkivit, Sinanit shpëtimi i hebrejve në Shqipëri nuk është thjesht shprehje bujarie e humanizmi, “nuk është as meritë e lëvizjes antifashiste apo e ndonjë faktori tjetër, por një sjellje e qendrim me karakter mbipolitik, që bashkoi në një vendim forca e protagonistë që nuk ishin bashkuar kurrë, forca dhe veprimtarë që madje e kishin luftuar njëri-tjetrin me egërsi. Këto forca e këta faktorë nuk i bashkoi ndonjë marrëveshje e shkruar”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›