Shkodër, banorët e Postribës kërkojnë rrugën
SHKODËR - Ka kaluar një muaj e gjysmë nga dita kur si pasojë e dëmtimit të digës në rezervuarin e Shtodrit, u vështirësua duke u bërë edhe i pamundur kalimi në aksin rrugor Postribë- Mesmyselim në Shkodër. Megjithë kërkesat e vazhdueshme dhe këmbënguljen e drejtuesve të komunës së Postribës, institucionit të prefektit dhe drejtorisë së kullimit, ende shteti shqiptar nuk ka lëvruar një fond emergjence prej 1 200 000 lekë të reja për rehabilitimin provizor të pjesës së dëmtuar, nga e cila kur ka reshje uji mbulon gjithë rrugën, duke e bërë të pakalueshme. Banorët e fshatit Mesmyselim shprehen se janë interesuar pranë komunës dhe aty kanë mësuar se të gjitha procedurat ligjore janë dërguar në qeveri dhe është ajo që vendos për çeljen e një fondi emergjence me prokurim të drejtpërdrejtë, që do të mundësonte rehabilitmin e digës së çarë në gjatësi rreth 4 m dhe do të siguronte normalitetin në lëvizjen e banorëve. Edhe gjatë një takimi të zhvilluar një muaj më parë në Shkodër në prani të drejtorit të përgjithshëm të emergjencave civile, Alfred Olli, nga drejtues të ndërmarrjes së kullimit dhe të komunës Postribë u paraqit ky problem shqetësues, por deri tani asnjë zgjidhje nuk është ofruar. Reshjet e ditëve të fundit e kanë vështirësuar së tepërmi qarkullimin në këtë segment, ku dhe automjetet nuk kanë mundur të kalojnë për shkak të sasisë së madhe të ujit që ka vërshuar nga rezervuari i dëmtuar. Për vitin 2009 është planifikuar hartimi i një projekti për rikonstruksion të digës së Shtodrit dhe paraqitja para Ministrisë së Bujqësisë, me qëllim që të ndërhyhet në riparimin e problemeve që paraqet kjo vepër prej vitesh. Ndërsa për sjelljen e normalitetit në qarkullimin e njerëzve në segmentin pranë fshatit Mesmyselim, është e nevojshme një ndërhyrje e shpejtë, shprehen banorët.