"Muaj Mjalti", nga Venecia në Toronto
Ndonëse jo në konkurrim, filmi "Muaj Mjalti", i pari bashkëprodhim shqiptaro-serb, ka tërhequr vëmendjen e kritikës në sesionin "Venice days". Së pari, sepse Paskaljeviç është emër i njohur i regjisë për Ballkanin, e së dyti, sepse u është bashkuar filmave të tjerë që e kanë parë Italinë nga syri i emigrantëve. Përfundimi: italianët janë racistë. Këtë e theksoi fort filmi rumun "Françeska", ndaj të cilit erdhën replika të forta nga Alessandra Mussolini dhe kryetari i Bashkisë së Veronës, Flavio Tosi. Një tjetër skenë e filmit të Paskaljeviç flet për emigracionin në Italinë fqinje. Të rinjtë shqiptarë dhe serbë zbresin në portin e Puljas, ku policët italianë nuk sillen mirë me ta, ndonëse janë me dokumente të rregullta. "Italianët janë racistë. Shiko ku na kanë vënë! Në mes të zezakëve", është një nga batutat e filmit e shkëputur edhe prej mediave italiane. Gjithsesi, ndaj filmit të Paskaljeviç nuk pati reagime të tilla si në rastin e filmit rumun. Analizat kanë ndalur më shumë në bashkëpunimin kinematografik mes shqiptarëve dhe serbëve, si dy vende me një histori të gjatë konfliktuale. Pas Venecias, "Muaj Mjalti" do të shfaqet në Festivalin e Torontos. Pas një sërë konkurrimesh, premierës në Beograd e Tiranë, do të shfaqet për të gjithë në "DigitAlb".