E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pasdite", një emision i ri në ekranin e "Top Channel"

Një emision i ri do të shfaqet në ekranin e "Top Channel". Duke nisur nga dita e sotme, do të vijë çdo pasdite nën drejtimin e prezantueses së njohur, Arbana Osmani. Në fakt edhe titullin e ka të tillë, të thjeshtë, por për të gjithë, ashtu si edhe brendia e këtij programi. "Pasdite në Top Chhannel" është ideuar si një emision që do të rrokë tema të së përditshmes shqiptare, fenomene që i njohim e i shohim çdo ditë, me të cilët bashkëjetojmë e në shumicën e rasteve pa mbajtur qëndrim ndaj tyre. Një këndvështrim ndryshe mbi lajmet e ditës do të trajtohen në këtë prodhim të ri në "Top Channel", drejtuar nga Arbana Osmani. Me transmetimin e këtij emisioni do të ndryshojë edhe formati i edicionit të lajmeve të orës 17.30, i cili do të jetë një edicion i shkurtër me zhvillimet kryesore. Do të ketë lidhje direkte për të fokusuar ngjarjet e për Arbanën është një aventurë e re televizive, që do ta vendosë jo thjesht në pozicionin e prezantues, por të gazetares. Arbana do të drejtojë këtë prodhim të ri televiziv, pas eksperiencave të mëparshme në emisione të tjera të "Top Channel" si "Top Model of the World Albania", "E Diell" apo spektakli i njohur "Big Brother". "Rubrikat do të jenë të shumta, janë rubrika që kanë të bëjnë me personazhe të njohura, por edhe të panjohura, janë problematika qe ne hasim çdo ditë, por për të cilat nuk flitet në televizion, janë tema që janë konsideruar tabu, por ndërkohë ne kemi vendosur t‘i diskutojmë së bashku edhe përmes të ftuarve edhe përmes kronikave. Janë gjithçka që ne na shoqëron në çdo moment të jetës", shprehet Osmani. Një studio e posaçme është përgatitur për këtë emision të ri, ndërkohë që stafi realizues merret me detajet e fundit. Sokol Shameti, kryeredaktor i këtij emisioni, duke zbuluar disa detaje më shumë të përmbajtjes së këtij emisioni tregon se do të ketë tema shumë interesante për t‘u diskutuar. "Shqiptarët do të kenë mundësi të shikojnë copëza nga jeta e tyre e përditshme, drama të jetës urbane, shoqërore, spektakël. Çdo pasdite në studion tonë do të ketë të ftuar të njohur që do të diskutojnë rreth temave të përzgjedhura për trajtim. Do të jetë një kolazh i sintetizuar në një orë i të gjithë asaj që ne mendojmë se është shqetësimi, por edhe interesi i ditës së publikut", shprehet Shameti. I eksperimentuar dhe i suksesshëm në televizione italiane dhe britanike, ky emision, e para përpjekje shqiptare, do të ketë një moto të vetën: "Pasdite në Top Channel, këtu dëgjohet frymëmarrja e Shqipërisë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›