E Diel, 1 Nëntor 2026

Deda: Berisha hesht ndaj korrupsionit



Deputeti i Partisë Socialiste, Eltar Deda, lëshoi dje akuza ndaj kreut të Qeverisë mbi denoncimet e opozitës për pasurinë e deputetes së PD-së, Albana Vokshi, si dhe të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Për Dedën, Berisha nuk ka reaguar ende dhe sipas tij, kjo tregon lidhjen e tij me këto raste korruptive. "Ne nuk kemi dëgjuar as edhe një fjalë të vetme nga Kryeministri, megjithëse këto afera kanë ndodhur pak hapa larg zyrës së tij, e me vetë firmën e tij. Dy janë arsyet e mundshme të kësaj heshtjeje, që pranon fajin, pra përfshirjen e Sali Berishës në aferat e njerëzve të tij. Ose Kryeministri është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në pasurimin korruptiv të pushtetarëve e fëmijëve të tij në kurriz të qytetarëve. Ose ai vetë është aq i kapur nga korrupsioni në familje sa nuk guxon të hapë kutinë e Pandorës të korrupsionit në Qeverinë që ka zgjedhur vetë e sot drejton. Paratë e Argitës, 1 milion e gjysmë eurot e Priftit e 4 miliardë dollarët e Vokshit flasin për kapje të shtetit", tha Deda. Sipas tij, dy rastet e denoncuara nga Partia Socialiste janë raste të pastra korrupsioni. "Të dy këto janë raste të pastra të konfliktit të interesit me postin publik. Të dy janë raste të pastra korrupsioni, kur pushtetarët përfitojnë miliona si pasojë e shpërdorimit të detyrës. Të dy janë raste që në vazhdën e luftës kundër korrupsionit, kërkesë themelore e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave e zotim publik të Sali Berishës për tri fushata elektorale, duheshin hetuar e vënë përpara drejtësisë", shtoi Deda.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›