Shqipëria, e pafat në transfertë
Një sukses i vësh tirë i Kombëtares bjelloruse që vetëm në 10 minutat e fundit arriti të krijojë epërsinë ndaj kuqezinjve të trajnerit Mark Dikel në eliminatoren e dytë evropiane në grupin B e të fitojë 94-76. Për 30 minuta, ndeshja e luajtur në Minsk ka qenë e ekuilibruar me shumë barazime dhe e tillë loja do të shkonte thuajse deri në fund. Janë shqiptarët që e nisin mirë ndeshjen, e cila udhëheq në fillim të lojës 6-2, 8-4, 12-9, me një Kuqo, Karaj, Cukaj, Hysenagolli e Vogli në superformë. Skuadra vendëse fiton terren përkohësisht 22-18, por i menjëhershëm do të jetë reagimi i Shqipërisë që përmbys shifrat në 24-27, falë ekzekutimit perfekt të legjionarit Ermal Kuqo nga 3 pikë, Gjinajt e Cukës për 2 pikë. Katër sekondat e fundit, mrekullia Hysenagolli e çon Shqipërinë në avantazh 29-26. Asgjë nuk ndryshon në periodën e dytë përsa i përket lojës dhe rivalitetit, grintës dhe luftës së fortë sportive, ku basketbollistët luajnë fort për çdo top, por një hap para janë kuqezinjtë 36-32. Në mesin e periodës, loja ndërron kah në favor të bjellorusëve, të cilët rikuperojnë disavantazhin dhe udhëheqin me 9 pikë, 47-38, në mbyllje të pjesës së parë. Bjellorusia e ruan epërsinë edhe në periodën e tretë, ku mjaftohet me administrimin e rezultatit, pa u shkëputur më shumë se 9-10 pikë (49-40, 53-45). Disa 2-pikësha radhazi të të besuarve të neo-zelandezit Dikel u japin mundësi të ngushtojnë diferencën në 57-56, por Kuçinski, në mbyllje të kësaj periode, po nga distanca, fikson rezultatin 60-58, gjithnjë për Bjellorusinë. Pas 30 minutave u duk sikur loja e basketbollistëve tanë po gjente ritmin, por në periodën e fundit kundërshtari mbrohet mjaft mirë dhe kundërpërgjigjet shpejt. Në pjesën e katërt ka vetëm një ekip ne fushë. Janë vendësit që dominojnë takimin dhe fitojnë krejt ndeshjen 94-76. Edhe mbrëmjen e djeshme ka qenë sërish kapiteni Kuqo, lideri i kuqezinjve me 24 pikë të realizuar, 5 ribaundet dhe 3 asistet.