E Diel, 1 Nëntor 2026

Një mijë mundime për 80 kilometra

OPINION nga ARMAND SHKULLAKU

Javën e kaluar, për herë të parë që kur është hapur tuneli i Kalimashit, për të shkuar nga Tirana në Prishtinë më është dashur më shumë kohë se sa më duhej dikur kur kaloja përmes Maqedonisë. Plot gjashtë orë, prej të cilave tre orë e gjysmë për vetëm 80 kilometra, aq sa është rruga e mbetur nga Prizreni deri në Prishtinë. E ashtuquajtura Rrugë e Kombit, nga urim po kthehet në mallkim për qindra mijëra njerëz, e jo vetëm...

...për ata që udhëtojnë midis dy vendeve, por edhe për banorët e Kosovës që u duhet të shkojnë në Prizren. Një ndërmarrje e mundimshme që shpenzon nerva, karburant, kohë pune, energji dhe që në fund të fundit, veç torturës njerëzore, ndikon negativisht në ekonominë e vendit.
Fenomene të trafikut të rënduar hasen shpesh edhe në vendet europiane, por po aq shpesh shumëkush prej nesh ka qenë dëshmitar i masave që merren për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve. Në Kosovë, sa i takon trafikut dhe lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve, mbizotëron një kaos i plotë. Madje të shumta janë rastet kur vetë autoritetet shtetërore e gjenerojnë këtë kaos. Prej disa kohësh, Kosova i ngjan një kantieri të çoroditur ndërtimi, ku në çdo orë përballesh me surpriza. Rrugë që mbyllen, kanale që hapen, devijime të papritura, punime që nisin dhe nuk vazhdojnë më... Rrugë shtron e riparon Qeveria, rrugë shtrojnë e rregullojnë komunat, pa asnjë lloj koordinimi mes tyre, të gjitha në të njëjtën kohë, pa u shqetësuar aspak për sezonin dhe shtimin e trafikut në muajt e verës. Si në rrathët e ferrit, torturës së trafikut nuk i shpëton dot as kur do të dalësh nga Prishtina, as në hyrje të Suharekës, apo në dalje të Prizrenit.
është e vërtetë se ky është një sezon specifik, ku numri i makinave në qarkullim shumëfishohet, ku dalja drejt detit nëpërmjet Vërmicës si për Shqipëri, ashtu edhe për Mal të Zi e rëndon segmentin rrugor Prishtinë - Prizren, ku vargut të makinave të emigrantëve të habitur u shtohen edhe radhët e dasmorëve, që bëjnë dasma çdo ditë të javës. është po ashtu e vërtetë që Kosova nuk ka qenë e përgatitur për një fluks të tillë makinash drejt kufirit me Shqipërinë, kufi i cili së fundi po frekuentohet edhe nga maqedonasit për të shkuar në Adriatikun verior. Por, duke pasur parasysh përvojën e një viti më parë, Qeveria e Kosovës duhej të kishte marrë disa masa. Në radhë të parë, ajo duhej të planifikonte që punimet në rrugë ose të mos fillonin, ose të ishin përfunduar deri në sezonin veror. Qeveria dhe komunat nga kalon rruga drejt kufirit me Shqipërinë duhet të ishin mbledhur dhe ta kishin koordinuar mes tyre një plan bashkëpunimi jo vetëm për të mos bllokuar rrugët me punime, por për të parë çdo mundësi për krijimin e udhëve alternative në lehtësimin e qarkullimit të mjeteve. Po kështu, duheshin marrë masa që më parë për të planifikuar kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda vetëm në orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje vonë. Kujt i ka qëlluar ndonjë kamion apo cisternë e naftës në Qafën e Duhlës e di se çfarë do të thotë kjo. Po kështu, policia, duke pasur parasysh pikat e rënduara të trafikut do të duhej të ishte më prezente për të shmangur çdo vonesë të panevojshme. Dhe mbi të gjitha, Ministria e Brendshme do të duhej të ishte çdo ditë e pranishme në media, në televizione e radio, për të njoftuar qytetarët për bllokimet e mundshme të trafikut, për rrugë alternative nga mund të kalojnë dhe për punimet që vështirësojnë lëvizjen.
Në fakt, përjashto lehtësinë e kalimit të kufirit për të cilën u mendua më parë, asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Segmenti rrugor Vërmicë - Prishtinë është më keq se një vit më parë. Ngadalësimi nis menjëherë pas kthesës së Dragashit, ku megjithëse punëtorët e firmës "Bechtel-Enka" orientojnë në çdo kohë makinat për devijimet e rrugës, vonesa është e pashmangshme. Vazhdon bllokimi në hyrje dhe dalje të Prizrenit për të mbërritur në pikën kulmore, atë të segmentit Topliçan - Shirokë, e më pas në daljen e Suharekës. Bëhet fjalë për afro 20 kilometra për të cilat duhen më shumë se 2 orë për t'i përshkuar. Më pas, përsëri vështirësi në rrugën ku nis qafa e Duhlës, punimet e së cilës kanë mbetur në vend. Dhe kur mendon se e hoqe qafe atë qafë të mallkuar, të pret tranziti i Shtërpcës, hyrja e Prishtinës që po arnohet dhe, në fund, dora e Isës të jep goditjen përfundimtare që kthimin në banesë ta shndërron gati në një mision të pamundur. Në të gjithë këtë mundim nuk has askund në përpjekjet e autoriteteve për t'iu ardhur në ndihmë qytetarëve. As për të shtuar ritmin e punimeve, as për të liruar rrugët nga bllokimet e panevojshme, madje as për t'i ngushëlluar udhëtarët me ndonjë mesazh radiofonik. Ndesh vetëm ndonjë patrullë, që si për ironi drejton matësit e shpejtësisë nga vargu i makinave që lëvizin me një kilometër në orë.
Kjo situatë nuk ka pasoja shkatërruese vetëm për momentin. Ajo rrezikon të ndikojë negativisht në frekuentimin e ardhshëm që jo vetëm emigrantët, por edhe turistët e tregtarët do t'i bëjnë Kosovës e Shqipërisë. Po t'u shtosh vuajtjeve të mësipërme edhe pengesat e policëve me sjellje idiote në Shqipëri dhe lopët që shëtisin në autostradë, shifra rekord e kalimit të kufirit këtë vit ka pak gjasa të përsëritet vitin e ardhshëm. Entuziazmi i rrugës së re ka rënë ndjeshëm dhe punimet që pritet të zgjerohen nga Kosova mund të prodhojnë të tjera vështirësi. Qeveria duhet që vitin e ardhshëm bashkë me fushatën zgjedhore të mendojë edhe për sezonin veror. Edhe qytetarët që udhëtojnë me makina verës do të votojnë në vjeshtën e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›