E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i qytetarëve bëri publike nismën mbi hapjen e kutive të votimit “Politika dështoi, populli të vendosë me referendum”

Grupi nismëtar i qytetarëve që kërkoj-në referendum për hapjen ose jo të kutive të votimit, bënë publike dje nismën e tyre, e cila tashmë i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë aprovimin.

Grupi i këtyre qytetarëve tha dje se nisma e tyre erdhi pas dështimit prej më se 1 viti të politikës shqiptare për të gjetur një zgjidhje mbi këtë çështje. Sipas tyre, forma e referendumit është më demokratikja dhe në situatën aktuale do të ishte zgjidhja konkrete kur sovrani mund të thoshte fjalën e vet përfundimtare mbi ngërçin politik. Sipas tyre, është momenti i duhur për të realizuar këtë referendum në një kohë kur pritet të nisin përgatitjet për zgjedhjet lokale. "Ne besojmë tek parimi që populli është sovran dhe që ai ka të drejtën për të ndërhyrë aty ku përfaqësuesit e tyre dështojnë. Për këtë arsye ne vendosëm që ky ishte momenti i duhur për këtë kërkesë, pasi mendojmë që situata mund të agravojë në një kohë që Presidenti Topi do të dekretojë së shpejti zgjedhje lokale", tha Andi Gjoliku, një nga nismëtarët. Ata tashmë presin konsumimin e afatit prej 20 ditësh që kërkon ligji. Sipas qytetarëve, edhe nëse KQZ-ja shprehet negativisht mbi kërkesën e tyre, pasi janë vërejtur disa parregullsi procedurale, ata do të jetë të gatshëm t'i shkojnë deri në fund kësaj iniciative. "Nëse ne marrim një përgjigje negative, pavarësisht se çfarë mund të vendosë KQZ-ja, ka një procedurë ligjore, e cila thotë se ne kemi të drejtë. Ne do e fusnim prapë kërkesën pas plotësimit atyre mangësive që janë vërejtur", tha Gjoliku. Grupi i nismëtarëve u shpreh se me marrjen e miratimit nga KQZ-ja, do të procedohet me mbledhjen e më se 50 mijë firmave, të cilat do të depozitohen në KQZ. "Ne i kërkojmë politikës që të hapë rrugën, pasi institucioni i referendumit është më i larti. Le ta pyesim popullin se çmendon për hapjen e kutive", tha njëri prej nismëtarëve. "Duhet të mësohet demokracia shqiptare me referendumin, si forma më e lartë e demokracisë", u shpreh një tjetër prej tyre. Kushtetuta parashikon në tri nene të saj, 150, 151 dhe 152, dispozitat për realizimin e një referendumi popullor. Kështu, sipas Kushtetutës, vetëm 50 mijë qytetarë si dhe një e pesta e deputetëve mund të kërkojnë realizimin e një referendumi për një ligj ose çështje të caktuar. "Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t'i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë", thuhet në pikën 1 të nenit 150 të Kushtetutës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›