E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dede: Han në Kinë, por jo për mua

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Ari Han, ka qenë gjatë këtyre ditëve në Kinë, në një udhëtim që nuk ka pasur qëllime pune. Sipas FSHF-së, trajneri nuk ka lajmëruar për këtë vizitë në vendin aziatik, kombëtaren e të cilit e ka drejtuar disa vite më parë, por mendohet se ka qenë atje thjesht për pushime. "Alarmin" për udhëtimin e Ari Han në Kinë e ka dhënë mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, Nevil Dede, i cili ka treguar se tekniku holandez kishte qenë në tribunën VIP të ndeshjes Beijing-Shandong, të përfunduar me rezultatin 1-1.

Në një prononcim për "albaniasoccer.com", Dede ka treguar se fillimisht kishte menduar për një vizitë pune të trajnerit holandez, por ky i fundit nuk e ka kontaktuar mbrojtësin e përfaqësueses. "U shtanga. Nuk u besova syve. Luante Beijing kundër Shandong, ndeshje e cila përfundoi 1-1. Trajneri i kombëtares shqiptare ndodhej në tribunë. Fillimisht mendova se ai ndodhej në Kinë për të ndjekur lojtarët shqiptarë që luajnë atje, e pikërisht ndonjë lojtar që unë nuk e dija që bënte pjesë në ndonjë nga ato dy skuadra. Pastaj u kujtova që unë isha i vetmi dhe s‘kishte shqiptarë të tjerë që luanin në kampionatin kinez", deklaroi Dede, i cili ka qenë titullar i pazëvendësueshëm në mbrojtjen kuqezi gjatë eliminatoreve të EURO 2008. Duket se trajneri holandez nuk e ka marrë në konsideratë futbollistin që u shpall kampion në dy vitet e fundit si me Elbasanin, ashtu edhe me Tiranën, pasi nuk e ka kontaktuar atë gjatë qëndrimit në Kinë. "Mendoja se trajneri do të ishte i interesuar të më kontaktonte gjatë qëndrimit të tij në Kinë, por kam përshtypjen se ai as nuk e di që unë luaj në Kinë. Nëse ai e dinte që unë luaj këtu dhe jam shqiptari i vetëm i federuar në këtë kampionat, atëherë mendoj se nuk do ishte korrekte që ai të vinte deri këtu dhe të mos interesohej qoftë edhe për t‘u përshëndetur. Nuk më duket serioze që në fillimet e tij nuk më grumbullon pa asnjë shkak apo motiv, sepse unë si lojtar i kombëtares deri në ndeshjen e fundit e konsideroj normale një kontakt ose bisedë, pasi ai është trajneri i kombëtares dhe unë lojtar i saj. Megjithatë, gjithçka varet nga vendimet e tij", vijoi Dede në prononcimin e dhënë për "albaniasoccer.com". Futbollisti beson se vizita e Han në Kinë nuk ka qenë rastësore, por mund të ketë zhvilluar bisedime pune në vendin aziatik. Ndonëse Dede nuk e ka cilësuar si të sigurt këtë hipotezë, fakti që ai ka drejtuar kombëtaren e Kinës, e ka bërë shumë të famshëm në këtë vend. "Nuk besoj se ai ka ardhur thjesht për të ndjekur një apo dy ndeshje. Nuk kam dëshirë të spekuloj, sepse nuk di gjë në detaje, por që Han të vijë deri këtu pa asnjë arsye tjetër nga ajo e qejfit, më duket absurde, kur dihet se ai është larguar nga Kina kur ishte trajner i përfaqësueses", përfundoi mbrojtësi i kombëtares. Gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, trajneri Han deklaroi se pezullimi nga aktivitetet ndërkombëtare nuk do të ndikonte në kontratën e tij me FSHF-në. Por paraqitja e tij enigmatike në një stadium kinez ka bërë të lindin hije dyshimi mbi vazhdimësinë e tij në stolin kuqezi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›