Qato, shembull për nxënësit e shkollës sportive
Kampioni i botës në boks, Kreshnik Qato, pak ditë pas fitores rikthehet në shkollën ku mësoi 16 vjet më parë, "Bernardina Qeraxhia" në Durrës. Bashkë me ministrin e Arsimit, Genc Pollo, dhe prefektin Klodian Pajuni, Qato kërkoi nga të rinjtë më shumë përkushtim në sport për të arritur majat e kampionateve. Ndërkohë që u premtua nga ministri Pollo rikthimi i ekipit të boksit, i cili mungon që prej katër vitesh në shkollën sportive të Durrësit. Pollo e ka vlerësuar kampionin Qato si një model të suksesshëm, që duhet ndjekur nga të rinjtë. "Ai ofron modelin që prindërit tuaj dhe ju dëshironi të arrini përmes shkollës dhe edukimit", u shpreh ministri. Nxënësi Adriatik Hoxha, kampion i të rinjve në hedhjen e gjyles dhe flakjen e çekiçit, është një ndër të rinjtë e talentuar, që u shpreh se do të ndjekë shembullin e Qatos në sport.