E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët: Rritja e çmimeve na varfëroi më shumë

Asnjë deklaratë nuk është dhënë nga qeveria për politikat e rritjes së pensionit, asnjë kompensim për energjinë elektrike dhe asnjë lehtësi për të moshuarit. Ankesat e pensionistëve që ndonjëherë janë edhe kryefamiljarë, janë bërë publike dje nga kreu i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica. Dje, në një njoftim zyrtar, Gorica ka bërë publike të gjitha të dhënat lidhur me varfërinë, rritjen e çmimeve dhe si rrjedhim edhe uljen e pensioneve. Sipas Goricës: "Rritja e çmimeve të ushqimeve, bukës, energjisë elektrike, inflacionit ka sjellë më shumë varfëri në vend. Sipas të dhënave të Sindikatës së Pensionistëve të bërë publike dje, rreth 88 mijë familje pensionistësh jetojnë me 1.5 dollarë çdo ditë, ndërkohë që dy vjet më parë kjo shumë ishte 2 dollarë". Po ashtu, rreth 400 mijë familje jetojnë me 1.2 dollarë këtë vit, nga 1.8 që ishin tre vjet më parë. Çmimi i energjisë elektrike është rritur me 20 për qind, çfarë ka sjellë që një familje të shpenzojë minimalisht nga 4500 deri në 6 mijë lekë të reja në muaj. Sindikata e Pensionistëve i ka kërkuar qeverisë "Berisha" të mbajë premtimet për rritjen e pensioneve dhe të luftojë evazionin fiskal dhe punën e zezë, e cila mendohet të shkojë deri në 40 për qind. Sindikata e Pensionistëve do të nisë protestat për të gjitha problemet që shqetësojnë këtë kategori, duke përfshirë këtu rritjen e çmimeve, ilaçet dhe për rritjen e masës së pensionit në fshat e qytet. Sipas sindikatës, shteti duhet të rrisë pensionet, të rimbursojë barna të mira dhe jo ato që nuk përfshin pjesën më të madhe të pacientëve pensionistë, por shumicën e kësaj kategorie. Po ashtu, kompensimet për kryefamiljarët për energjinë elektrike dhe për bukën duhet të jenë më të larta, duke pasur parasysh këtu rritjen e çmimit të energjisë dhe bukës. Pensionin e pensionistëve e përgjysmojnë edhe ekzaminimet. Sipas Goricës, një pjesë e mirë e të sëmurëve shkojnë të ekzaminohen në klinika private, sepse ato të shtetit nuk arrijnë të përmbushin nevojat, janë të prishura pajisjet ose mungojnë ilaçet që rimburson shteti. Ndërkaq, një javë më parë sindikata që mbron moshën e tretë nuk ka rënë dakord me Komisionin e Hartimit të Listës së Barnave për futjen e disa medikamenteve të reja në listën e ilaçeve që paguan shteti. Sipas Goricës, këto ilaçe nuk janë efektive dhe nuk i përmbushin nevojat e pensionistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›