FSHF: Trajneri vazhdon punën, konfirmoi programin e majit
FSHF ka bërë të ditur se vizita e trajnerit Ari Han në Kinë nuk kishte qëllime pune. Përgjegjësi i zyrës për shtyp në FSHF, Tritan Kokona, ka sqaruar se tekniku holandez vazhdonte kontaktet e përditshme me "punëdhënësit" e tij, ndërsa kishte konfirmuar si zakonisht kalendarin e aktiviteteve të muajve të ardhshëm. "Vizita e trajnerit Han në Kinë nuk është pjesë e kalendarit të punës së teknikut të përfaqësueses, pasi ai nuk na ka informuar për një gjë të tillë. Ndaj mund të them se ky udhëtim duhet të jetë për arsye personale. Nga ana jonë nuk jemi të shqetësuar, ndonëse ai ka qenë trajner i përfaqësueses kineze. Kjo pasi gjatë ditëve të fundit kemi folur rregullisht me trajnerin Han, i cili na ka konfirmuar axhendën e tij dhe të kombëtares për muajt e ardhshëm. Trajneri ka bërë të ditur se plani i tij për muajin tjetër do të jetë një vizitë në Ukrainë, për të parë nga afër futbollistët shqiptarë që aktivizohen atje. Ai do të vijë edhe në vendin tonë, pasi dëshiron të shohë derbin kryeqytetas mes Tiranës dhe Partizanit. Për sa u përket aktiviteteve të kombëtares, ai është i interesuar që të bëjë një grumbullim me futbollistët dhe të zhvillojë miqësore. Nëse nuk do të jetë e zgjidhur situata e pezullimit, po mundohet që lojtarët e grumbulluar t‘i testojë në ndeshje me klube evropiane", deklaroi Kokona.