E Diel, 1 Nëntor 2026

Dede stërvitet me Tiranën “Por ende s’kam vendosur”

 

ADRIATIK BALLA

Ashtu siç edhe donatorja Shefikat Ngjela kishte paralajmëruar, mbrojtësi Nevil Dede shfaqet në horizontin bardheblu dhe zbret menjëherë në stërvitje.Jo për të qenë i gatshëm për trajnerin Slishkoviç për ndeshjen derbi ndaj Partizanit, por më shumë për të ruajtur formën e tij fizike për pjesën e dytë të kampionatit. Dede foli për Tiranën, për kombëtaren e të ardhmen. Foli qartë. Intervista e dhënë për “Panorama” tregon ambiciet e lojtarit.
Zbritja juaj në stërvitje mund të merret si një rikthim në bazë?
Është ende herët për ta thënë këtë. Unë mbylla performancën time në kampionatin kinez, pavarësisht se kontrata vazhdon deri në janar, dhe tashmë jam kthyer në Shqipëri, ku pres ofertat nga klubet e njohura të Superiores.
Këtu media ka shkruar se ju në janar do të jeni bardheblu. Keni folur paraprakisht me drejtuesit e klubit?
Jo, nuk kemi biseduar për këtë, por siç thashë pres oferta, të cilat do t’i shqyrtoj dhe më pas do të marr një vendim. Pa dyshim që Tirana është skuadra që unë ndjej më shumë dhe kjo është normale. Sidoqoftë, lëvizja mund të bëhet në janar.
Donatorja Shefikat Ngjela është shprehur se do t’i propozojë klubit emrin tuaj në merkato, duke lënë të kuptohet se ju duhet të riktheheni urgjentisht në ekip...
Diçka të tillë e kam lexuar në media dhe unë e përshëndes donatoren për besimin që ka shfaqur tek unë. Mbetet ende për të diskutuar në lidhje me kalimin tim tek Tirana. Është akoma herët për të thënë fjalën e fundit.
Si u mbyll aventura juaj në kampionatin kinez?
Mendoj se ishte një aventurë e këndshme, ku unë u përshtata mjaft mirë. Luajti disa ndeshje të mira dhe mendoj se qe një eksperiencë e bukur. Tashmë detyrimet e mia me klubin kinez u shlyen dhe unë pres oferta nga klubet e Superiores.
Trajneri i kombëtares, Ari Han, ju ka ndjekur në Kinë. Por nuk ka dhënë koment për një rikthim tuajin në kombëtare. Ç’mendim keni?
Që ai ka qenë në stadium, kjo është e vërtetë, por unë e kam marrë vesh dy ditë më pas. Megjithatë, më bëhet qejfi që më ka ndjekur dhe besoj se mund të vijë momenti të shfaqem sërish në kombëtare, pasi dëshira ime është të kontribuoj për ekipin përfaqësues të vendit tim.
Por forma juaj mund të kërkojë kohë për të arritur nivelin e përfaqësueses...
Unë luaj në nivele të larta dhe përpiqem të jem në formën maksimale të mundshme. Sigurisht, që i ndodhur në kampionatin shqiptar trajneri Han mund të ketë mundësi të më ndjekë më shpesh dhe kjo do të jetë pozitive për mua.
Si e shihni ecurinë e kombëtares aktualisht?
Besoj se është bërë punë e mirë dhe skuadra ka pasur ngritje vërtet cilësore. Rëndësi ka të vazhdojë të marrë rezultate pozitive, pasi këtë duan të gjithë shqiptarët. Unë dëshiroj të kthehem sërish në ekipin përfaqësues dhe besoj se për këtë do të jap prova para Hanit.
Tirana humbi kryesimin javën e kaluar. Si i vlerësoni bardheblutë?
E kam ndjekur nëpërmjet medias sportive dhe të them të drejtën më vjen keq për situatën e fundit që kaloi. Pati oshilacione në lojë e rezultate dhe humbi kryesimin. Por unë besoj se kjo skuadër i ka forcat dhe përbërjen e duhur për të qenë kampione.
Ndoshta me Deden mund të rimerret dhe një tjetër titull?
Shiko! Unë për Tiranën kam dhënë më të mirën time, sa herë kam veshur fanellën e saj. Nëse firmos në janar do të vazhdoj të jap më të mirën, pasi Tirana është skuadra e zemrës.
Derbi me Partizanin është të dielën. Si e parashikoni?
Shumë të vështirë, por besoj dhe shpresoj shumë ta fitojë Tirana. I ka të gjitha mundësitë. Sidoqoftë, do të jetë duel emocionues.

Projektohet shkëmbimi mes Xhafajt e Plakut

Edhe pse zyrtarisht nuk konfirmohet, Tirana dhe Dinamo duket të jenë në bisedime të gjata me njëra-tjetrën për të gjetur një rrugë kompromisi për disa nga lojtarët e tyre, me synimin e qartë për të shkëmbyer në interes të përbashkët disa lojtarë. Në të vërtetë, në radhët e Dinamos militojnë disa futbollistë që preferohen shumë nga klubi bardheblu dhe që bëhen përpjekje të mëdha për t’i sjellë ata tek 23-herë kampionët. Nuk është vetëm Allmuça e Pisha që kanë dashamirësit e tyre tek Tirana, por në horizont po shfaqet dhe emri i Sebino Plakut, i cili mendohet të shkëmbehet me Daniel Xhafën. Ky ka zhgënjyer tek Tirana dhe ka ndërmarrë vetë nismën për t’u larguar, madje së fundmi është parë të kontaktojë me presidentin dinamovit Besnik Sulaj. Por Tirana është e gatshme që ta lërë Xhafajn, madje edhe të paguajë më tepër, që ai të shkëmbehet me Plakun, nisur nga fakti se të dy sulmuesit nuk po shkëlqejnë me ekipet respektive, ndaj ekziston bindja se me ndërrimin e ambientit mund t’u kthehen golave. Plaku është nën kontratë, por negociatat mund të sjellin një lëvizje mjaft të bujshme në kampionatin shqiptar. Daniel Xhafaj ka shënuar një gol në 13 javë kampionat dhe së fundmi është bërë i padëshiruar edhe nga tifozët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›