Trafikuan vajzën,20 vjet burg të akuzuarve
TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda dha dje 20 vjet heqje lirie për Bardhyl Hyskajn dhe Sulo Çelën. Në seancën e djeshme, të kryesuar nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, u lexua vendimi që shpalli fajtorë Hyskjan dhe Çelën për veprën penale të “trafikimit të femrave për prostitucion” dhe i dënoi ata me nga 10 vjet heqje lirie secilin. Në vendimin përfundimtar gjykata pati parasysh edhe faktin që dosja u gjykua me kohë të shkurtuar. Dosja në ngarkim të Hyskajt dhe Çelës ishte në “xhiron” e saj të dytë në shkallët e gjyqësorit. Në 22 shkurt të vitit 2006 Gjykata për Krimet e Rënda i ka dënuar ata me 31 vjet burg. Apelimi i çështjes në 12 maj të po atij viti nuk e ka ndryshuar vendimin e dhënë në Shkallën e Parë. Çështjes pasi i është bërë rekurs në Gjykatën e Lartë në 27 shkurt të vitit 2007 Kolegji Penal vendosi prishjen e vendimit të dhënë në dy shkallët e para të gjyqësorit dhe rikthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatë e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda me një trup të ri gjykues. Dy të pandehurit e kësaj çështjeje akuzoheshin nga Prokuroria se në bashkëpunim me njëri-tjetrin në vitin 2003 kanë trafikuar në drejtim të Greqisë A. Dalipin, ku e kanë shfrytëzuar për rreth një muaj si prostitutë. ar.ba