E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrumbohet fabrika e mobilieve

 

Flakët e një zjarri të fuqishëm kanë shkrumbuar tërësisht ambientet e një biznesi të madh të prodhimit të mobilieve në kryeqytet. Zjarri që përfshiu fabrikën e firmës “Ardeno” shpërtheu rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, por brenda pak minutash përfshiu kompleksin e ndërtesave, që shtriheshin në një sipërfaqen rreth tre hektarë. Flakët, të favorizuara edhe nga era e fortë e stinës janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar veç të tjerash rreth 15 banesa që ndodheshin, ndërsa fatmirësisht drejtimi i erës ka shmangur tragjedi edhe më të madhe. Bëhet fjalë për dy depozita të mëdha gazi të firmës “Sofi gaz”, të cilat ndaheshin nga ambientet, që u dogjën vetëm nga muri rrethues i kompanisë. Paraprakisht mendohet se shkak i shpërthimit të flakëve mund të jetë një shkarkesë elektrike në ekspresin e kafesë, që ndodhej në barin e katit të dytë të ndërtesës. Pas kësaj është njoftuar shërbimi zjarrfikës ku janë gjetur në vendngjarje rreth 200 zjarrfikës me 20 mjete, por për katër orë rresht nuk kanë mundur të lokalizojnë flakët që përhapeshin me shpejtësi. Sipas zjarrfikësve, flakët veç erës së fortë stimuloheshin edhe nga lënda e parë, që ishin dërrasa për prodhim karrigesh dhe tavolinash, si dhe mjaft mobilie të tilla të montuara të magazinuara në fabrikë. Vetëm pas më tepër se 7 orësh e gjysmë ndërhyrjesh intensive flakët mundën të lokalizoheshin dhe të viheshin nën kontroll, ndërsa u fikën tërësisht pas mesditës. Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm akuzoi nga vendngjarja kompaninë “Ardeno” për moszbatim të parametrave teknikë në ndërtimin e ambienteve, që shfrytëzonte për biznesin e tij. Sipas tij godinat e firmës së mobilieve nuk janë ndërtuar me leje. “Janë pjesë të procesit të legalizimit. Duhet të shikohet seriozisht se çfarë nuk është respektuar nga parametrat teknikë të detyrueshëm për zbatim, siç është krijimi i rrugëve për mjetet zjarrfikëse në raste të tilla”, tha prefekti Keçi, i cili duke folur edhe për rastin e pak ditëve më parë kur një tjetër zjarr i fuqishëm përfshiu ambientet e një tjetër firme, “Henry shpk” tha se ndërtimet përgjatë autostradës janë pjesë e kaosit urban që ka përfshirë Tiranën. Po kështu, dje retë e dendura të tymit mbuluan edhe aeroportin Rinasit, por drejtuesit e tij pohuan se nuk patën asnjë shqetësim në lidhje me fluturimet. fa.ma.

Precedenti

Vetëm katër ditë më parë një tjetër zjarr i fuqishëm shkrumboi krejt magazinën e distributorit të elektro-shtëpiakeve “Henry” dhe fabrikën e prodhimit të plastikës “Agroplast”, në kilometrin e 10-të të autostradës Tiranë-Vorë. Në momentin e zjarrit, rreth orës 12:45 të mesditës së 1 dhjetorit, në dy bizneset gjendeshin mbi 25 persona, të cilët kanë mundur të dalin në kohë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›