Defekt elektrik, Shkodra dy ditë pa ujë të pijshëm
Shkodër-Qyteti i Shkodrës është prej dy ditës pa ujë të pijshëm. Një defekt në rrjetin elektrik të linjës 20 Kv që furnizon me energji elektrike stacionin e pompave të ujit të pijshëm në Dobraç të Shkodërs, ka sjellë ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm të gjithë qytetit.
Sipas drejtorit të Ndërrmarrjes së Ujësjellësit në Shkodër, Engjëll Gjondrekaj, ka qenë ora 01 e datës 5 dhjetor kur stacioni i pompave të ujit në Dobraç është pa punë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. “Menjëherë është lajmëruar filiali i KESH-it në Shkodër dhe specialistët e tij kanë ardhur shumë shpejt, por pa mundur të gjenjë defektin”, tha ai.
Linja 20 Kilovat që furnizon me energji elektrike stacionin e popmave të ujit të pijshëm, është linjë e veçantë që del nga nënstacioni Shkodra 1 e deri tek stacioni në Dobraç është e gjatë 4.5 km. Në këtë gjatësi ka ndodhur defekti, çarje në kabllin nëntokësor por që akoma nuk është gjetur se ku ka ndodhur, që të kryhet më pas riparimi.
Ditët pa ujë kanë rënduar më shumë jetesën e qytetarëve shkodranë që gjatë kësaj fundjave kanë dy festa fetare. Festën e Shënkollit për katolikët që ishte ditën e shtunë festën e Kurban Bajramit për myslimanët që është sot.
Burime nga KESH-i theksojnë që për gjetjen e defektit që ka lënë pa ujë të pijshëm gjithë qytetin e Shkodrës, është kërkuar sjellja e makinerisë me aparaturën përkatëse nga Tirana.