Ekspertët: Ardenon e dogji shkëndija elektrike
Tiranë-Firma “Ardeno” u dogj nga një shkëndje elektrike. Në këtë përfundim ka arritur grupi i ekspertëve të policisë dhe prokurorisë. Rreth 10 milionë euro ka qenë dëmi i shkaktuar kësaj linje të prodhimit të mobiljeve. Pronari i “Ardeno”, Tonin Alia, tha se nuk e kishte të siguruar biznesin e tij.
Zjarri në firmën “Ardeno”, ra një ditë më parë dhe shkatërroi gjithçka. Ekpertët konstatuan se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një shkëndije në panelin elektrik të katit të parë të godinës “Ardeno”. “Dëmi i shkaktuar është mbi 10 milionë euro. Biznesi im prej një viti figuronte i pasiguruar. Nuk arrita të bëja sigurimin për shkak të burokracive”, tha Alia. Sipas tij do të jetë e vështirë rimëkëmbja e biznesit të tij që u dogj në ditë me parë tërësisht. Në kompaninë “Ardeno” punonin rreth 40-50 persona, të cilët me shkatërrimin e fabrikës kanë mbetur aktualisht pa punë.
Rasti i “Ardeno” është i dyti brenda pak ditësh. Në austradën Tiranë-Durrës u dogj pak kohë më parë edhe firma hidrosanitare “Henry shpk”.