E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekt elektrik, zjarr në zyrat e lëvizjes MJAFT

TIRANE - Zjarri i shkaktuar nga një defekt elektrik djeg zyrat e lëvizjes MJAFT në Rrugën e Elbasanit në Tiranë. 

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme rreth orës 15:30, kur një zjarr i papritur përfshiu objektin ku ndodhen zyrat e kësaj lëvizje. Flakët kanë shkaktuar djegien e një pjese të mirë të ambienteve të ndërtesës duke shkaktuar edhe dëmtimin e pajisjeve të zyrave. Policia dhe zjarrfikësit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, me qëllim shuarjen e flakëve të përhapura thuajse në gjithë objektin. Zjarri sipas burimeve të policisë, ka shkatërruar disa prej zyrave, duke djegur orenditë dhe pajisjet që ndodheshin në to. Flakët janë shuar me shpejtësi nga zjarrfikësit, duke shmangur djegien e një banese ngjitur me zyrat e organizatës, e cila rrezikohej seriozisht nëse KESH nuk do të ndërpriste lidhjen e energjisë elektrike. Pas shuarjes së flakëve, policia dhe specialistët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes me qëllim zbulimin e shkakut të rënies së zjarrit. Gjatë kohës që zjarrfikësit punonin për eliminimin e flakëve, specialistët e KESH-it kishin bllokuar energjinë në zonë. Specialistët kanë pohuar se shkak i rënies së zjarrit, ka qenë një defekt në matësin e energjisë i cili ka shpërthyer. Sipas zëdhënësit të MJAFT-it, Ervin Qafmolla, matësi ishte vendosur së fundi nga KESH-i. Sipas Qafmollës, në momentin e rënies së zjarrit në godinë nuk ka pasur ngarkesë me energji, ndërsa sipas tij, KESH-i ka pretenduar se shkak ka qenë ngarkesa e rrjetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›