E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet skafisti i 13 klandestinëve

Një shqiptar i dyshuar si drejtues i gomones me 13 klandestinë që tentoi të zbarkojë në brigjet e Brindizit tetorin e vitit të kaluar, u arrestua dje në Itali. 

 Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës kur në prangat e policisë italiane ka rënë Eduard Kulla, 39 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Shqiptari është arrestuar bashkë me një person tjetër pasi të dy ata akuzohen për favorizim të emigracionit të paligjshëm dhe drejtim të mjetit lundrues që u nis nga brigjet shqiptare dhe tentoi të zbarkonte në Itali, në tetor 2007. Arrestimi i shqiptarit është konfirmuar nga shefi i skuadrës së policisë Antonio Tibollo i cili drejtoi operacionin e Guardia di Finanza për kapjen e të kërkuarit. Sipas mediave italiane, 39-vjeçari nga Vlora akuzohet si skafist i një gomoneje e cila mbërriti në tetor 2007 në brigjet e Brindizit dhe tentoi të zbarkonte aty klandestinët, por u zbulua nga policia dhe roja bregdetare italiane para se të kryente një veprim të tillë. Që në atë kohë Prokuroria e Brindizit hapi çështje penale dhe pak kohë më parë shpalli në kërkim shqiptarin e dyshuar. Eduard Kulla sipas hetimeve ishte nga Vlora por prej kohësh qëndronte në Brindizi të Italisë, ku edhe u arrestua me akuzën se ka trafikuar 13 klandestinë, mes të cilëve edhe persona në moshë të mitur. Sipas prokurorisë italiane, rezulton e provuar se Eduard Kulla së bashku me një person tjetër, organizoi një udhëtim të paligjshëm me gomone për 13 klandestinë që u nisën nga brigjet e Vlorës në drejtim të Italisë për të zbarkuar në Brindizi. Mirëpo kjo tentativë u zbulua në kohë nga roja bregdetare dhe policia italiane, e cila ndërhyri duke arrestuar gjithë klandestinët që ndodheshin në bord. Pasi u morën në pyetje nga autoritetet italiane ata u riatdhesuan në Shqipëri me një nga tragetet e linjës legale të udhëtarëve, ndërsa Prokuroria vendase filloi hetimet për tentativën e trafikimit. Bazuar në deklarimet e dhëna prej klandestinëve pas arrestimit të tyre në Itali, hetuesit italianë zbuluan se organizatori i udhëtimit ka qenë Eduard Kulla, 39 vjeç nga Vlora, për arrestimin e të cilit u kërkua autorizim në gjykatë. Sipas akuzës, personat që kanë udhëtuar me gomonen e drejtuar nga i arrestuari, ishin shqiptarë të moshës nga 20 deri në 35 vjeç, nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Në kohën kur gomonia kishte ulur shpejtësinë e lëvizjes dhe skafistët po urdhëronin klandestinët që të hidheshin në det, policia italiane e lokalizoi mjetin lundrues në zonën e "Giancolas" dhe u vu menjëherë në ndjekje të saj. Aksioni mundësoi kapjen e klandestinëve por trafikantët që drejtonin gomonen me 13 persona në bord arritën të largohen pa rënë në prangat e policisë.    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›