E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekt në frena, vdesin nënë e bir

VLORE – Nënë e bir humbën jetën dje në aksidentin e radhës. 

 Për shkak të rrugës së vështirë Vlorë-Sarandë, në afërsi të Dhërmiut, frenat nuk kanë funksionuar normalisht, duke shkaktuar përplasjen fatale me murin në krah të rrugës. Tre persona të tjerë pasagjerë, një prej tyre 5-vjeçare, mbetën të plagosur, por për fat pa rrezik për jetën. Sipas policisë së Vlorës, aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 13:30 në fshatin Dhërmi, nga ku mbeti i vdekur Ardi Gjini, 38 vjeç dhe e ëma 66-vjeçare, Lefteria. Ata po udhëtonin në një makinë tip “Benz” 240 drejt jugut, kur në një pjesë disheze shoferi ka tentuar të frenojë, por nuk ia ka dalë dot. Për shkak të nxehjes së mjetit dyshohet se sistemi i frenimit nuk ka funksionuar, duke bërë që drejtimi të dalë jashtë kontrollit. Makina është përplasur me një mur betoni, duke shkaktuar goditjen për vdekje të shoferit dhe nënës së tij që ndodhej në vendin e parë të makinës. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar banorë të fshatit si dhe kalimtarë, të cilët kanë nxjerrë nga makina udhëtarët. Për dy prej tyre ndihma ka qenë e panevojshme, ndërsa tre pasagjeret, Savo Gjini, 71 vjeçe, Gjenovefa Gjini, 64 vjeçe dhe Kristina Gjini, 5 vjeçe, sipas mjekëve janë jashtë rreziku për jetën. Nga hetimi ka rezultuar se familja Gjini po udhëtonte drejt Sarandës për tek të afërmit e tyre. Aksi nacional në afërsi të fshatit Dhërmi cilësohet si një ndër më të rrezikshmit gjatë kalimit të mjeteve, për shkak të terrenit të vështirë dhe ngushtësisë së rrugës.  q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›