E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrufeja mbi makinë, vdesin 4 të rinj

Një rrufe shkarkuar mbi pjesën e parme të makinës provokoi aksidentin tragjik me 4 viktima. 

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

Udhëtarët e një “Benzi”, të gjithë shokë nga Tirana, ishin nisur për të kaluar fundjavën tek të afërm të tyre, por u bënë “kurbanë” të së premtes së zezë. Rruga nacionale Tiranë-Lushnjë, në afërsi të kthesës së Çermës, u përgjak dje nga përplasja fatale që pësoi makina e të rinjve, e cila u përfshi dhe nga flakët. Tre prej tyre vdiqën brenda pak minutash, por pasdite vonë dhe i vetmi person që arriti t’i shpëtonte tragjedisë, nuk arriti t’u mbijetonte flakëve, duke ndërruar jetë në spitalin e Lushnjës. Tragjedia e djeshme u regjistrua rreth orës 11:30, në një prej akseve më të frekuentuara të rrugëve të jugut. Dëshmitarë të skenës së tmerrshme dhe më pas dhe ekspertët e policisë, deklaruan se shkak për aksidentin u bë një shkarkesë elektrike mbi makinën me targë TR 7673 M. Në ato momente, sapo kishin filluar pikat e para të shiut, në një qiell të mbuluar nga re të zeza. Mbi kofanon e makinës mendohet të jetë shkarkuar rrufeja, drita e së cilës ka trembur drejtuesin e mjetit, 20-vjeçarin Roland Muja. Shkarkesa mësohet se ka provokuar dhe një shkëndijë elektrike, duke bërë që shoferi të humbasë plotësisht kontrollin e makinës. Ajo është përplasur me bordurën e fortë në anë të rrugës, për të përfunduar në flakë disa metra larg aksit. Personat që shkuan në ndihmë të udhëtarëve kanë konstatuar vdekjen e shoferit, ndërsa në gjendje të rëndë ndodheshin moshatarët e tij, Eduard Vrapi, Admir Vladi dhe Endri Shuli. Megjithë angazhimin e shpejtë të policisë dhe spitalit të Lushnjës, Vrapi dhe Vladi nuk mundën të shpëtojnë nga vdekja. Në gjendje të rëndë ishte deri në orët e vona të pasdites shoku i tyre, Shuli, por dhe ai fatkeqësisht ndërroi jetë për shkak të plagëve të shumta. Banorët e zonës kanë treguar se një rrufe ka rënë mbi makinë, duke shkaktuar daljen e papritur të saj nga rruga. Grupi hetimor i mbërritur në vendin e ngjarjes pohon faktin se mund të ketë qenë pikërisht rrufeja ajo që ka çuar jashtë rruge makinën, ku udhëtonin katër të rinjtë nga kryeqyteti. Pasi është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes, ka rezultuar se automjeti nuk ka pasur shpejtësi të madhe, ndërsa nga të dhënat e para djemtë nuk ishin të alkoolizuar. Në këtë mënyrë, faktorët e vetëm të tragjedisë rezultojnë të jenë agjentët atmosferikë. Policia e Lushnjës dhe e Fierit ka ngritur një grup pune për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë. Madje janë marrë disa kampione nga trupat e viktimave për të analizuar të gjitha rrethanat që provokuan aksidentin. Mësohet se djemtë po udhëtonin drejt qytetit të Ballshit, ku kishin familjarë të tyre dhe shpeshherë shkonin tek ta për të kaluar fundjavën. Trupat e tyre të pajetë janë tërhequr nga familjarët në Tiranë, pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore.

Viktimat e aksidenteve

Roland Muja        20 vjeç
Eduard Vrapi        20 vjeç
Admir Vladi            21 vjeç
Endri Shuli            20 vjeç
Marius Krasniqi        20 vjeç
Ardi Gjini            38 vjeç
Lefteri Gjini            66 vjeçe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›